“Bomba” e ditës, Neymar rikthehet te Barcelona

Futboll 31 Maj 2019 11:13

Neymar kërkon me çdo kusht t’i japë fund eksperiencës me PSG dhe të kthehet te Barcelona.

Kështu shkruan në numrin e sotëm “El Mundo Deportivo”, që gjithsesi nuk e përjashton mundësinë që sulmuesi brazilian të transferohet te rivalët e Realit të Madridit.

Sulmuesi 27-vjeçar, pavarësisht mundësive që do t’i ofrojë merkatoja, shpreson që të zbarkojë edhe një herë në “Camp Nou”,

Neymar është penduar që shkoi te PSG (klubi parizien pagoi klauzolën e largimit 222 milionë euro) dhe po vazhdon t’i dërgojë mesazhe afrimi klubit katalan, për të bërë të mundur rikthimin në La Liga.

Drejtuesit e Barcelonës, gjithsesi, nuk kërkojnë të nxitohen, duke e analizuar me gjakftohtësi situatën.

Operacioni i mundshëm, që do ta rivishte brazilianin me ngjyrat “blaugrana” duket shumë i vështirë, pasi presidenti El Khelaifi nuk do të hiqte dorë kollaj nga “basti” i tij, për të fituar Championsin, edhe pse sezoni që sapo u mbyll rezultoi zhgënjim për kampionët e Francës.

Mbetet për t’u parë sesi do të vijojnë ngjarjet, pasi gjithçka varet edhe nga kërkesat që ka stafi teknik i Barcelonës.

Në dhomat e zhveshjes te klubi katalan Neymar do të kishte mbështetje të plotë nga miqtë e tij të vjetër, Messi e Suarez, me të cilët formoi tredhëmbëshin e famshëm që udhëhoqi Barcelonën drejt triumfit në Championsin në vitin 2015./Insporti