Borea fitoi pikët e shpresës

Superliga 03 Shkurt 2018 18:31

Borea e ka fituar sfidën ndërmjet dy skuadrave të fundit në renditje, duke e mposhtur Kerasan Prishtinën në kryeqytet me shifrat 97:88, në kuadër të javës së 18-të  të IP Superligës së Kosovës në basketboll.

Në këtë mënyrë pejanët i kanë fituar pikët e shpresës së madhe që deri në fund të kampionatit të shmangen nga fundi i tabelës dhe të sigurojnë mbetjen në rangun më të lartë të basketbollit kosovar. Aktualisht të dyja këto skuadra ndodhen në kuotën e 22 pikëve, aq sa i ka edhe Peja që ka zhvilluar një ndeshje më pak.

Blend Matoshi me 24 pikë ishte më i merituari për fitoren e Boreas, ndërsa pikë dyshifrore patën edhe Charles Carter (17),  Shpend Gashi e Allen Idrizaj nga 15 dhe Sami Hajzeri (13). Në anën tjetër, më efikasi te prishtinasit ishte Kreshnik Muqolli me 18 pikë, Arbnor Haliti shënoi 16, ndërsa Rinor Ahmeti e Kujtim Sadiku i shtuan nga 13 sosh.

Pjesa e parë ishte plotësisht e barabartë dhe pas 20 minutave lojë rezultati ishte 44:44, por pas pushimit pejanët u treguan më të mirë dhe gjatë gjithë kohës e diktuan ritmin e lojës për të arritur deri te fitorja, e cila mund të jetë shumë e rëndësishme.