“Bota e saj, rregullat e saj” – organizohet turne 3×3 në konkurrencën e femrave

Basketboll 09 Shtator 2020 17:28

Gjatë ditëve të nxehta jemi mësuar me streetball në konkurrencën e meshkujve, por tani do të mësohemi edhe me atë femrave. Klubi i Basketbollit AA (Kerasan) Prishtina ka bërë hapin e madh, duke organizuar turne 3×3 për të mbështetur rolin e gruas në shoqëri, shkruan Insporti.com.

Turneu do të quhet “Women Streetball Prishtina” dhe do të zhvillohet më 15 shtator në lagjen e njohur të Prishtinës “Marigona”.

Në këtë turne pjesëmarrja do të jetë falas dhe organizohet me qëllim e vetëm që roli i femrave të fuqizohet dhe të rritet ndikimi i tyre në sportin e basketbollit, por edhe në sportet tjera.

Klubit Kerasan Prishtinës në ndihmë i kanë dalë Ministrina e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të muajit të rinisë, si dhe Federata e Basketbollit të Kosovës, me kampanjën e saj “Bota e saj, rregullat e saj” (Her World, Her Rules).

Turneu do të zhvillohet më 15 shtator nga ora 17:00 deri në ora 20:00 në fushën e hapur në Marigona Rezidencë.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të Kerasan Prishtinës:

Klubi i Basketbollit AA (Kerasan) Prishtina në konkurrencën e femrave më 15 shtator në Marigona Rezidencë do të organizojë turneun “Women Streetball AA Prishtina”.

Ky aktivitet është në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të muajit të rinisë, si dhe me Federatën e Basketbollit të Kosovës, me kampanjën e saj “Her World, Her Rules”.

Në këtë turne pritet të marrin pjesë shumë vajza të reja, derisa organizatorët zotohen se do t’i respektojnë masat e Covid-19.

Turneu do të zhvillohet më 15 shtator nga ora 17:00 deri në ora 20:00 në fushën e hapur në Marigona Rezidencë.

-->