Botërori i basketbollit, Greqia “bie” para SHBA-ve

Basketboll 07 Shtator 2019 20:25

Shtetet e Bashkuara mundën edhe Greqinë, duke çuar në katër numrin e fitoreve në edicionin e 18-të të kampionatit botëror të basketbollit për meshkuj. Pavarësisht fitores së vuajtur me Turqinë, pas kohës shtesë, kjo është ndeshja më e mirë për ekipin amerikan në këtë botëror, duke patur parasysh që u arrit ndaj Greqisë, që pozicionohet në vendin e tetë në renditjen e FIBA-s.

Një sukses i Greqisë në këtë duel do t’i barazonte të gjitha skuadrat e Grupit K, në kuotë të barabartë pikësh, me 3 fitore dhe vetëm 1 humbje, e për hir të së vërtetës formacioni helen e nisi mirë ndeshjen dhe lojtari me origjinë nigeriane ishte vërtet i papërmbajtshëm, gjithsesi Gregg Popovich ndërhyri me zëvendësimet e tij dhe shifrat 12-11 përfaqësojnë edhe avantazhin e fundit të ekipit ballkanas në këtë takim.

Perioda hapëse u mbyll 19-17, ndërsa në 10′ tjetër ekipi amerikan e shtrëngoi skuadrën greke për të shënuar vetëm 8 pikë gjithsej. Mbrojtja e fortë dhe pasaktësia e basketbollistëve grekë në sulm bënë diferencën dhe sollën edhe shkëputjen përfundimtare të ekipit amerikan, që shkoi në interval me epërsinë 38-25.

Avantazhin më të madh të ndeshjes skuadra e Shteteve të Bashkuara e arriti 56-37 pra +19, sidoqoftë në pjesën e mbetur ekipi amerikan u mundua më së shumti për të administruar rezultatin.

Perioda e fundit u mbyll 16-15 dhe ishte e vetmja që u fitua nga ekipi grek, gjithsesi në fund skuadra amerikane fitoi gjithë takimin me rezultatin e thellë 69-53. Me këtë triumf Shetet e Bashkuara u ngjitën në krye të Grupit K, në kuotën e 8 pikëve.

Republika Ceke dhe Brazili ndjekin me vetëm një pikë më pak, ndërsa Greqia pozicionohet në vendin e fundit me 6 pikë.

Natyrisht më i miri për ekipin helen ishte Giannis Antetokounmpo që e përfundoi sfidën me “double double”, 15 pikë e 13 “rebound”, ndërsa në krahun tjetër shkëlqeu Kemba Walker, që e mbylli takimin me 15 pikë, 4 topa në tabelë e 6 asist. Sidoqoftë vlen të theksohet fakti që në këtë ndeshje mungoi për arsye dëmtimi ylli i Boston Celtics, Jayson Tatum.

Ditën e hënë do të mbyllet edhe faza e dytë e këtij botërori dhe sigurisht do të mësohet edhe përfaqësuesja që do të shoqërojë në cerekfinale ekipin amerikan, emër që do të dalë nga ndeshjet Greqi – Republikë Ceke dhe Shtetet e Bashkuara – Brazil.