Bottas në “pole position” – befason Hamiltonin dhe Vettelin

Formula 1 30 Qershor 2018 17:21

Surpriza në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Austrisë në Formula 1. Piloti finlandez Valtteri Bottas me Mercedes ka siguruar “pole position” në pistën e Zëelteg, duke dhënë kohën 1:03:130 dhe ka befasuar të gjithë me paraqitjen e tij.

Të befasuar nga kjo kohë kanë mbetur edhe dy pretendentët kryesorë për titull, Lewis Hamilton me Mercedes (i dyti) dhe Sebastian Vettel me Ferrari (i treti), që nuk e prisnin këtë shpërthim të finlandezit. Gara do të zhvillohet të dielën, duke nisur nga ora 15:10.

Pista austriake është mjaft e shkurtër dhe duket se kjo ka favorizuar finlandezin, që në sesionin e tretë të provave zyrtare bëri një xhiro të përkryer, duke dhënë një kohë mjaft të mirë. Gjithsesi, vija e parë e nisjes do të jetë sërish e Mercedes, me Hamilton që u rendit i dyti, ndërsa në vijën e dytë janë dy pilotët e Ferrarit, me Vettel që la pas shokun e skuadrës Kimi Raikkonen (i katërti).

I pesti u klasifikua Max Verstappen me Red Bull, ndërkohë që surprizoi Romain Grosjean me Haas, i gjashti, duke lënë pas Ricciardo (i shtati) me makinën tjetër Red Bull.

Në përfundim të sesionit të parë të provave zyrtare u eliminuan Vandoorne (McLaren), Perez (Foce India), Sirotkin (Williams), Hartley (Toro Rosso) dhe Ericsson (Sauber), ndërkohë që Hamilton ishte më i shpejti në pistë. Ndërsa në përfundim të sezionit të dytë të provave zyrtare më i shpejti ishte Sebastian Vettel me Ferrari, ndërkohë që u eliminuan Ocon (Force India), Gasley (Toro Rosso), Leclerc (Sauber), Alonso (McLaren) e Stroll (Williams). /Insporti

-->