Brezovica atraktive, gati për garën e kësaj fundjave

FASK 26 Korrik 2019 09:14

Kampionati i Kosovës në automobilizëm vazhdon në këtë fundjavë me garën që do të mbahet në shtegun e Brezovicës, e treta e disiplinës malore për këtë vit.

Pas një pune të madhe të Federatës së Auto Sportit të Kosovës, Auto Klubit Ferizaj dhe institucioneve tjera relevante, janë sanuar edhe gropat përgjatë shtegut dhe gjithçka është gati për këtë garë, e cila tradicionalisht ka qenë shumë atraktive si për garuesit, ashtu edhe për dashamirët e auto sportit.

Si zakonisht, të shtunën, duke filluar nga ora 08:30 bëhet paraqitja e pjesëmarrësve në garë, për të vazhduar pastaj me verifikimin e dokumentacionit e kontrollimin teknik, në mënyrë që në orën 12:00 të fillojë vozitja testuese.

Të dielën, pas procedurave të duhura, gara do të fillojë në orën 12:00, dhe duke marrë parasysh se shtegu është i gjatë 7.7 kilometra, gara do ta ketë vetëm një vozitje.

FASK  i ka angazhuar 33 zyrtarë të saj, të cilët së bashku me Policinë e Kosovës, Ndihmën e Shpejtë, Brigadën e Zjarrfikësve dhe AK Ferizjan do të bëjnë gjithçka që është e mundur në mënyrë që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme.