Buducnost dhe Doellman në Euroleague, mposhtin Crvena Zvezdën

Basketboll 14 Prill 2018 22:06

Takimi i katërt i serisë finale fillimisht ishte në pikëpyetje nëse do të zhvillohej meqë Kryetari i Crvena Zvezdës, Nebojsa Covic i kishte dhënë kësaj ndeshjeje konotacion të deformuar politik, në një deklaratë ku kishte implikuar edhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Meqë takimi zhvillohej një ditë para zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi dhe në kohë të heshtjes zgjedhore, tensionet ishin të mëdha dhe jo vetëm të natyrës sportive.

Kur veçse filloi ndeshja, basketbolli i treguar ishte shumë i dobët, madje për tre minuta nuk u shënua asnjë pikë nga loja.

Budcnosti e hapi pak më mirë lojën dhe ishte në epërsi të vazhdueshme, por më shumë në saje të lojës shumë të dobët të Zvezdës në sulm, lojtarët e së cilës nga 15 tentimet e para nga loja shënuan vetëm 3.

Mirëpo, përgjatë çerekut të dytë mysafirët u kthyen në lojë dhe deri në fund të pjesë së parë kapën jo më pak se 9 kërcime në sulm, përmirësuan shutin për tri pikë, kurse Buducnosti kishte huqur 6 gjuajtje të lira për më pak se 20 minuta.

Të gjitha këto bënë që pjesa e parë të përfundojë me rezultat 36:38.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, vendësit, të përkrahur ga publiku që kishte mbushur sallën Moraca , një minutë para fundit të çerekut të tretë kaloi në epërsi dhe nuk e lëshoi atë deri 2 minuta para fundit, kur mysafirët pas një serie 7:0 dolën në epërsi 70:68.

Mirëpo, reagimi i vendësve ishte reagim i vërtetë i një ekipi kampion. Pas tajm autit, Buducnosti shënoi 6 pikë me radhë dhe në 20 sekondat e fundit hyri me rezultat 77:73, prapë u vendos shkëlqyeshëm në mbrojtje dhe e fitoi ndeshjen 77:70.

Me këtë fitore Buducnosti e siguron të drejtën të garojë në Euroligë vitin e ardhshëm.

Doellman në këtë ndeshje luajti vetëm 6 minuta dhe arrti të kapë dy kërcime.

-->