Bunjaki zbulon planet e Feronikelit – ky futbollist është i pa prekshëm

Futboll 14 Dhjetor 2019 12:11

KF Feronikeli ka nisur fazën e tranzicionit duke ndërruar gjeneratën e futbollistëve, madje duke larguar futbollistë si Kastriot Rexha dhe Arbër Prekazi.

Kampioni i Kosovës realisht sezonin e filloi me probleme pasi pas ndeshjeve në Evropë, shkarkoi trajnerin Zekirija Ramadani pak ditë para se të fillonte kampionati. Zëvendësues i tij u emërua trajnerin malazez, Dejan Vukicevic, i cili nuk qëndroi edhe gjatë në bankinën e “nxehtë” të klubit nga Drenasi.

Presidenti i klubit, Naser Ramaj për të kthyer gjërat në vendin e duhur vendosi të bashkëpunojë me ish përzgjedhësin e Kosovës, Albert Bunjaki, duke e emëruar si këshilltar. Me ardhjen e Bunjakit, ndryshimet në klubin kampion filluan të ndodhin.

 

Vukicevic u shkarkua, zëvendësuesi i tij u emërua trajneri shqiptar nga Shkupi, Agim Sopi. Hapi i radhës, ri-organizimi i skuadrës. “Nikli” njoftoi se futbollistët si Kastriot Rexha, Astrit Fazliu, Arbër Prekazi, Albutrint Morina janë të lirë të bisedojnë me klube të tjera, pasi nuk bëjnë më pjesë e projektit të krijuar nga Bunjaki dhe Sopi.

Ndryshe, në qershor të këtij viti klubi rinovoi kontratat e Rexhës dhe Prekazit pas sezonit të kaluar në të cilin fituan titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Insporti ka kontaktuar Albert Bunjaki, i cili ka deklaruar se Feronikeli është shndërruar nga klubi me skuadrën më të vjetër, në klubin me skuadrën më të re, krejt kjo si punë e projektit. “Feronikeli ka projektuar një plan. Plan ky i cili ka na shndërruar në një nga klubet me skuadrën më të re në Superligë. Po ashtu, ne jemi të parët që kemi formuar ekipin e grupmoshave U-21. Në rast se klubet tjera nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë ekipi i U-21 do të bëjë gara në Ligën e Tretë”.

Formimi i skuadrës U21 Feronikeli, do të fillojë nga 1 janari dhe ku pjesë e grupit U21 do jenë 8-12 lojtart me të talentuar.

 

 

Bunjakin për Insportin ka folur edhe për largimet e futbollistëve si dhe të ardhmen e Mendurim Hotit.

“Mendurim Hoti është pjesë e projektit të ri. As që bëhet fjalë që ai të largohet, ai do është dhe do të mbetet futbollist i Feronikelit. Feronikeli ka bërë një projekt, projekt në të cilin nuk bëjnë pjesë futbollistët si Rexha dhe Fazliu. Jemi duke punuar ta ndërtojmë një ekip me futbollistë të rinj dhe me përvojë evropiane. Ne dje kemi prezantuar futbollistin Ilir Berisha, i cili ka përvojë në futbollin suedez, po ashtu ka paraqitje për Përfaqësuesen e Kosovës dhe Kombëtaren e Shqipërisë”

Ish përzgjedhësi i Kosovës, Bunjaki mohoi edhe zërat për një largim të mundshëm të trajnerit Agim Sopi nga Feronikeli. “Agim Sopi nuk do të largohet nga bankina e Feronikelit. Unë e njohë që 21 vjet, jemi shokë shumë të mirë. Kur kam biseduar me presidentin Rama për Sopin i kam garantuar se ai është i përkushtuar ndaj punës që bën. Gjithmonë do të ketë interesim për shërbimet e tij, pasi është një trajner mjaft i mirë. Ka pasur sukses në Suedi e po ashtu ka drejtuar edhe Kombëtaren U-21 të Maqedonisë së Veriut”.

Kristi Kullaj, Simon Losh,  Keith Groeneveld dhe Ilir Berisha janë transferimet që ka bërë deri më tani kampioni i Kosovës në futboll.

Ilir Berisha gjatë prezantimit si futbollist i Feronikelit

 

 

Klubi po ashtu i ka ofruar kontratë talentit të klubit Ardi Qorri, me sygjerimin e Sopit dhe Bunjakit. Qorri cilësohet si një ndër talentët më të mirë në klub dhe në pjesën e dytë të sezonit do të ketë minutazh në ekipin e parë.

KF Feronikeli sezonin 2019/20 nuk e nisi mirë dhe “sezonin vjeshtor” e përfundoi në pozitën e pestë me 27 pikë, shtatë pikë larg vendit të parë, shkruan Insporti.com.

 

 

 

-->