Canada vjen nga Amerika në Prizren

Superliga 05 Janar 2019 17:34

Ekipi debutues në Superligën e Kosovës në basketboll, Ponte prizreni ka bërë një përforcim të madh para fillimit të pjesës së dytë të sezonit.

Fjala është për basketbollistin Malcolm Canada, i cili për publikun tonë është i njohur meqë ka qenë pjesë e ekipit të Golden Eagle Yllit sezonin e kaluar dhe ka qenë kosha shënuesi më i mirë i këtij ekipi.

Kanada luan në pozitat fundore dhe ka përfunduar kolexhin Auburn,  duke luajtur dy sezone në NCAA për këtë institucion shkollor, raporton Insporti, duke u bazuar në të dhënat e kësaj lige amerikane.

Karrierën si profesionist e ka filluar në Amerikën e Jugut, kurse para dhe pas angazhimit në Ylli ka luajtur në Ostrava të Republikës Çeke.

Ponte është ekipi i tij i tretë në Evropë, ku bashkohet me trajnerin Arbnor Rifati, me të cilin ka punuar edhe në Suharekë, ku Rifati ishte ndihmës, bën të ditur Insporti.

Përndryshe, Ponte Prizreni pas pjesës së parë të sezonit, ka bilanc prej 5 fitoreve dhe 8 humbjeve dhe mban pozitën e gjashtë në tabelë, me një ndeshje më pak të zhvilluar, atë me Z Mobile Prishtinën, që është shtyrë.