Cantona shokon me deklaratën për Botërorin në Katar: Mijëra vdekje, nuk do ta shikoj asnjë ndeshje

Futboll 14 Janar 2022 11:04

Eric Cantona mbajti qëndrim për Kupën e Botës, që do të luhet në Katar dimrin e ardhshëm (21 nëntor-18 dhjetor 2022). Legjenda e Manchester United tha se jo vetëm nuk do t’i shikojë ndeshjet, por akuzoi vendin pritës se i kishte trajtuar në mënyrë të tmerrshme punëtorët që ndërtuan stadiumet.

Për më tepër, sipas Cantona, gjithçka do të ishte kalimtare, pasi nuk do të kishte asnjë mundësi për të lënë një trashëgimi serioze futbolli pas kompeticionit në fjalë. Eric Cantona foli për “Daily Mail”:

“Të jem i sinqertë, nuk më intereson shumë Botërori i ardhshëm, që për mua nuk është një Botëror i vërtetë. Në dekadat e fundit ka pasur shumë ngjarje, si p.sh. Lojërat Olimpike apo Kupa e Botës në vende si Rusia apo Kina.

Sidoqoftë, Katari nuk është vendi i futbollit. Unë nuk jam kundër idesë për ta pritur Kupën e Botës një vend ku ekziston mundësia e zhvillimit dhe promovimit të futbollit, si në Afrikën e Jugut apo në Shtetet e Bashkuara në vitet 1990.

Në Katar nuk ka një potencial të tillë. Nuk ka asgjë. Kjo ka të bëjë vetëm me paratë dhe mënyrën se si ata i trajtuan njerëzit që ndërtuan stadiumet, është e tmerrshme. Mijëra njerëz kanë vdekur atje.

Megjithatë, ne do ta festojmë këtë Kupë Bote. Personalisht, unë nuk do ta shikoj atë. E kuptoj që futbolli është një biznes, por mendova se ishte i vetmi vend ku të gjithë mund të kishin një shans.

Ende mendoj se të rinjtë mund të rriten në një zonë shumë të varfër, të bëhen futbollistë dhe kështu të shpëtojnë veten dhe familjen e tyre, gjë që është e mrekullueshme. Nëse je i mirë, je i mirë, kjo është meritokracia.

Nëse je më i miri, do të luash dhe është e drejtë. Meritokracia dhe potenciali janë thelbi i futbollit, prandaj është edhe më e habitshme pse në Katar do të organizohet një Botëror”

-->