Carlos Queiroz sulmon Cristiano Ronaldon

Futboll 28 Qershor 2018 13:57

Që ndeshja mes Portugalisë dhe Iranit, me këtë të fundit që ka Carlos Queiroz në bankinë, do të shoqërohej me polemika kjo ishte thuajse e ditur.

Ajo që ishte më pak e parashikueshme, ishte përplasja mes Queiroz me ish-përfaqësuesen e tij, që e drejtoi në Botërorin e vitit 2010.

Portugalia barazoi me Iranin 1-1 në një sfidë në të cilën edhe mund të ishte eliminuar dhe këto polemika nuk kishin të bënin vetëm me kartonin e kuq të munguar të Cristiano Ronaldos.

Në fakt Queiroz, që e ka stërvitur yllin e Realin e Madridit sa ishte te Manchester United, ka për t’i thënë diçka më shumë Ronaldos dhe nuk janë komplimente.

Sipas të përditshmes ‘AS’, shkaku i indinjatës së Queiroz është se Ronaldo dhe Quaresma preferuan që të evitonin qëllimisht takimin me të në përfundim të ndeshjes.

“Nuk e identifikoj veten me disa persona që nuk përshëndesin një trajner që për 12 vjet ka qenë në shërbim të kombëtares portugeze”, tha Queiroz.

“Kam fituar tituj evropian e botëror përmes reformave dhe ideve të reja. Historia e Federatës Portugeze të Futbollit nuk u krijua në ishullin e Madeiras me Cristiano Ronaldon, por është një histori që është krijuar shumë kohë më parë dhe vlerat që më transmetuan Augusto, Simoes, Eusebo, Humbero Coelho, nuk janë ato aktuale. Nuk them që vlerat e futbollistëve të sotëm janë të gabuar, por nuk janë të miat e të shumë personave të tjerë”, deklaroi 65 vjeçari.

Mësohet se kjo armiqësi mes Carlos Queiroz e Cristiano Ronaldos lindi pikërisht në Botërorin e vitit 2010, kur Ronaldo akuzoi hapur trajnerin për eliminimin e Portugalisë nga Spanja, që fitoi 1-0 me golin e David Villas. Që nga ai moment, sipas “AS”, Queiroz nuk ia ka dhënë më Ronaldos votën në garën për topin e Artë duke preferuar gjithnjë Lionel Messin. /Insporti.com

-->