Ceferin konfirmon ndëshkimin për futbollistët që marrin pjesë në Superligën Evropiane

Futboll 19 Prill 2021 14:59

Kryetari i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka konfirmuar ndëshkimin për futbollistët që marrin pjesë në liga të mbyllura, siç po tentohet të krijohet Superliga Evropiane, shkruan Insporti.com.

Numri një i shtëpisë evropiane të futbollit, ka konfirmuar se të gjithë futbollistët që marrin pjesë në liga të mbyllura, nuk do të mund të luajnë për vendet e tyre në Kupën e Botës dhe Kampionatet Evropiane.

“Futbollistët që do të luajnë në Superligë do t’iu ndalohet pjesëmarrja në Kupën e Botës dhe Kampionatet Evropiane. Ata nuk do të lejohen të luajnë për kombëtaret e tyre”, ka deklaruar Ceferin, transmeton Insporti.com.

Ky vendim do të ndikojë edhe për futbollistët shqiptarë. Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri do të humbasin Kampionatin Evropian që do të mbahet në qershor të këtij viti.

Të dy futbollistët luajnë për Kombëtaren e Zvicrës.

Xhaka luan për Arsenal, ndërsa Shaqiri në Liverpool, te dy këto klube janë pjesëmarrëse në Superligën Evropiane.

Të dielën mbrëma futbolli evropian ka ndryshuar përgjithmonë. Me iniciativën për krijimin e Superligës Evropiane nga 12 klubet më të fuqishme evropiane, garat evropiane të organizuara nga UEFA ka marrë një goditje të fortë.

Mbrëmë është publikuar edhe dokumenti zyrtar i cili shpjegon formatin e Superligës dhe 12 klubet pjesëmarrëse.

Liverpool, Manchester City, Arsenal, Chelsea, Tottenham, FC Barcelona, Real Madrid, Atlético Madrid, Inter Milan, AC Milan dhe Juventus, janë klubet të cilat kanë krijuar Superligën Evropiane.

Megjithatë, krijimi i kësaj Superlige Evropiane është kundërshtuar njëzëri nga FIFA, UEFA dhe ligat e mëdha evropiane, duke i kërcënuar me përjashtim nga të gjitha garat. /Insporti.com/

-->