Challandes: “Jemi zhgënjyer me lojën e Zvicrës kundër Suedisë”

Bernard Challandes, trajneri i kombëtares së Kosovës në futboll, në intervistën për Insporti.com, është deklaruar për ecurinë e përfaqësueses së Zvicrës në Kupën e Botës “Rusia 2018”, si dhe paraqitjen e futbollistëve me prejardhje nga Kosova.
Zvicerani 66-vjeçar tha se përfaqësuesja e Zvicrës tregoi paraqitje të mira, sidomos në fazën e kualifikimeve, ku kishte një grup mjaft të vështirë.
“Sa i përket më pas Botërorit në Rusi, në fazën e grupeve kishte ndeshje të vështira, mirëpo shfaqi lojë të mirë. Megjithatë në 1/8-ën e finales kundër Suedisë nuk kemi parë një angazhim të futbollistëve të Zvicrës sikur në ndeshjet e grupit dhe kjo ka bërë që opinioni dhe tifozët zviceran, pak janë ndjerë të zhgënjyer nga ndeshja kundër suedezëve”, tha Challandes për Insporti.com
Në raportimet para fillimit të Kampionatit në Rusi, flitej se sukses për përfaqësuesen e Zvicrës do të ishte kalimi i grupit, mirëpo duke e parë ecurinë e tyre, u shpresua që avancimi së paku deri në çerekfinale, do të llogaritej një sukses i madh.
Challandes thotë se fillimisht sukses duhet të llogaritet edhe kualifikimi për në Botëror.
“Kemi barazuar me një kombëtare si ajo e Brazilit dhe e mposhtëm Serbinë, e kjo bëri që të shpresojmë për më shumë, mirëpo nuk u arrit qëllimi, Sido që të jetë, duhet pasur parasysh se Zvicra është një shtet i vogël dhe nuk mund të mendojmë se mund të shpallet kampion bote”, u shpreh trajneri zviceran për Insporti.com