Challandes: Kosovë – Shqipëri, ndeshja e vëllait të vogël ndaj vëllait të madh

Kombëtarja 28 Maj 2018 17:43

Bernard Challandes, trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, foli në konferencën për shtyp para vëllazërores me Shqipërinë ditën e nesërme, ku foli për gjendjen e ekipit, apo edhe për atmosferën para ndeshjes.

“Ka pasur një pritje speciale. Për mua si zviceran mund të jetë ndeshje e bukur, por jo shumë e qartë. Është ndeshja e vëllait të vogël ndaj vëllait të madh, jemi ekip i ri, kemi 2 vite që jemi krijuar. Do luajmë ndaj një ekipi me shumë përvojë, por është e rëndësishme pasi po përgatitemi për Ligën e Kombeve”, tha Challandes në konferencën për media.

“Jemi të lumtur që luajmë këtu në Zyrih, por kemi shumë mungesa të rëndësishme në këtë takim, si Berisha apo Paqarada e Kryeziu. Por, kam vendosur t’i jap shansin lojtarëve me ekipin U-21, djemve me moshë të re. Kemi vendosur t’i japim eksperiencë lojtarëve të rinj, dhe është diçka e mirë për të ardhmen. E ardhmja është gjëja më e rëndësishme. E di që njerëzit nga Shqipëria apo Kosova lumturohen vetëm me fitoren në çdo ndeshje, por si trajner unë duhet të mendoj edhe për të ardhmen. Mendoj se zgjidhja më e mirë është të luajmë me lojtarë të rinj”, shtoi trajneri zviceran.

“Shqipëria e dimë që ka një ekip të mirë, me eksperiencë, pasi ka marrë pjesë edhe në Europian. Por, me një motivim të madh mund të jemi një kundërshtar i fortë për Shqipërinë. Mbase, edhe unë si trajner do të mësoj gjëra të reja për skuadrën time. Mavraj, si kapiten i Shqipërisë, ka luajtur më shumë ndeshje se çdo lojtar i imi, përveç kapitenit tonë, Ujkanit. Ky është një tregues i dallimit të eksperiencës”, përfundoi Challandes.