Chelsea – Arsenal, derbi londinez që premton spektakël në Baku

Futboll 29 Maj 2019 09:25

Pas një sezoni plot spektakël e emocione, Europa League do të përmbyllet mbrëmjen e sotme në Baku të Azerbajxhanit, ku është caktuar të luhet ndeshja finale mes Chelseat dhe Arsenalit.

Një finale tërësisht londineze, me dy skuadrat që pasi dueluan fort në Angli, për një vend në zonën Champions, tani do të diskutojnë trofeun e dytë më të rëndësishëm për klube, në Europë.

Chelsea tashmë e ka të siguruar pjesëmarrjen për në Ligën e Kampionëve, kurse Arsenali me një fitore sot do të siguronte plasmanin për në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Trajneri i bluve, Maurizio Sarri luan për herë të parë një finale të këtij rangu dhe ka mundësinë të fitojë edhe trofeun e parë të rëndësishëm të karrierës së tij, që në vitin e parë të aventurës angleze.

Por përballë do të jetë një trajner ekspert i këtij kompeticioni si Unai Emery, i cili e ka fituar 3 herë radhazi Europa Leaguen, kur drejtonte andaluzianët e Sevillas.

Tekniku spanjoll ka një karrierë të pasur me trofe, ndërsa mbrëmjen e sotme do të kërkojë ta “bëjë sefte” edhe me Arsenalin, duke fituar trofeun e parë me “Topçinjtë”.

Hector Bellerin dhe Aron Ramsey nuk do të jenë në dispozicion për teknikun Emery, ashtu si edhe Heinrich Mkhitaryan, i cili nuk ka udhëtuar në Azerbajxhan, për arsye politike.

Nga ana tjetër, Sarri do të duhet të bëjë llogaritë pa Loftus-Cheek e Rudiger, ndërsa në pikëpyetje është edhe mesfushori francez N’golo Cante.

Trofeu i vetëm evrpian që Arsenali e ka të fituar është Cup Winners’ Cup në vitin 1994, derisa asnjëherë nuk ka arritur t’i fitojë dy trofetë kryesorë evropianë, Ligën e Kampionëve dhe Europa Leaguen.

Chelsea ndërkaq e ka fituar dy herë trofeun e Cup Winners’ Cup, derisa e ka të fituar edhe Ligën e Kampionëve (2012) dhe Ligën e Evropës (2013).