Chelsea e gatshme të vuajë në “Camp Nou”

Futboll 14 Mars 2018 12:06

Chelsea duhet të jetë e gatshme të vuajë në Barcelonë të mërkurën nëse dëshiron të ketë gjasa për të arritur në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Kështu vlerëson trajneri i Chelseat, Antonio Conte.

Barcelona kishte shënuar golin e barazimit në minutën e 75-të me anë të Lionel Messit për të anuluar epërsinë 1:0 të Chelseat që e kishte arritur me anë të Willianit në nismë të pjesës së dytë, në ndeshjen e parë ndërmjet dy skuadrave që u zhvillua në “Stamford Bridge” muajin e kaluar (1:1).

Conte thotë se Chelsean e pret dukshëm punë më e madhe në “Camp Nou” të mërkurën mbrëma në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales.

“Ne duhet të jemi shumë të mirë, por kur luan ndaj një skuadre të tillë, që mendoj se është një prej më të mirave në botë, atëherë duhet të vuash, në mënyrën e njëjtë siç vuajtëm në ndeshjen e parë, ku ishim gati perfekt”, ka thënë Conte për faqen zyrtare të Chelseat.

Chelseat i duhet me patjetër të shënojë gol në përballjen e kthimit, pasi do ta kualifikonte një fitore apo një barazim me më shumë se një gol.

Barcelona ndërkaq, kualifikohet tutje me fitore ose me barazim pa gola.