Chelsea turpërohet nga Watfordi – Conte rrezikon seriozisht shkarkimin

Chelsea ka pësuar humbjen e dytë të radhës në Premierligë, kësaj radhe duke u turpëruar në udhëtim te Watford.
Skuadra e Antonio Contes, që nga minuta e 30-të mbeti me 10 lojtarë, pësoi humbje të thellë 4:1 si mysafir i Watford.
Para se Tiemoue Bakayoko të përjashtohej nga loja me kartonin e dytë të verdhë, rezultati ishte ende i barabartë. Por, Watfordi e shfrytëzoi epërsinë e lojtarëve, duke kaluar në epërsi 12 minuta më vonë.
Ishte Troy Deeney i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë, kur po luhej mintua e 42′, për t’i dërguar me rezultat 1:0 ekipet në pushimin e pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, kur po dukej se një rezultat pozitiv për Chelsean ishte pothuajse i pamundur, belgu Eden Hazard doli në skenë duke realizuar supergol, për të barazuar shifrat në 1:1.
Por, gëzimi i Chelseat nuk zgjati shumë. Vetëm dy minuta më vonë, Daryl Janmaat shënoi për 2:1, për të pasuar golat e Gerard Deulofeut [88′] e Roberto Pereyra [90′].
Kjo është humbja e dytë radhazi në Premierligë e Chelseat, pas disfatës së fundit të pësuar në shtëpi me rezultat 0:3 ndaj Bournemouth.
Pas kësaj humbje Chelsea mban pozitën e katërt në renditje me 50 pikë pas 26 xhirove në kampionatin anglez, një më shumë se Tottenhami i vendit të pestë, duke rrezikuar një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve. /Insporti.com