Cili klub italian po tenton transferimin e Mustafit? Agjenti i tij tregon të vërtetën

Futboll 31 Korrik 2019 08:28

Roma e asnjë klub tjetër italian nuk e ka pyetur për mbrojtësin shqiptar të Arsenalit, Shkodran Mustafin. Kështu ka thënë agjenti i tij.

Në ditët e fundit, në mediat sociale janë publikuar disa thashetheme për interesimin e Giallorossëve për qendërmbrojtësin shqiptar, mirëpo burimi i spekulimeve duket të ketë qenë në Angli dhe jo në Itali.

“Është diçka e re që po dëgjoj”, ka thënë për Romanews, babai i Mustafit, i cili është njëherësh edhe agjenti i tij.

“Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë. Nuk ka pasur kurrfarë kontakti me Romën apo ndonjë klub tjetër italian”, ka shtuar ai.

Në ndërkohë, mediat franceze po raportojnë se Monaco ka shprehur interesim për nënshkrimin e Mustafit, të cilin Arsenali e bleu për 41 milionë euro nga Valencia në vitin 2016.