City fiton ndaj Arsenalit me dhuratat e Luizit

Futboll 17 Qershor 2020 23:29

Manchester City ka mposhtur Arsenalin në kuadër të Premier Ligës. “Qytetarët” triumfuan me shifrat 3:0, shkruan Insporti.com.

Kampioni anglez ishte dominues nga fillimi i ndeshjes deri në fund, por fitoren ua “dhuroi” mbrojtësi brazilian i Arsenalit, David Luiz me dy gabime, të cilat me përvojën e tij nuk është dashur të ndodhin.

Raheem Sterling shënoi në minutën e 45-të për 1:0. Sterling përfitoi pas gabimit të Luiz, i cili nuk reagoi mirë duke ia dhuruar topin sulmuesit anglez.

Ndërsa, epërsinë e dyfishoi Kevin De Bruyne (51’) nga penalltia. Në skenë përsëri ishte braziliani Luiz, i cili shkaktoi penalltinë dhe gjyqtari i ndeshjes Anthony Taylor e ndëshkoi me kartonë të kuq.

Golin e tretë për rezultatin përfundimtar e shënoi talenti anglez, Phil Foden në minutën e 90.

Shkodran Mustafi luajti gjatë gjithë takimit të sotëm, derisa Granit Xhaka pësoi një lëndim të rëndë dhe u largua nga loja në minutën e tetë.

Premier Liga Angleze rifilloi sot me dy ndeshje në program, pas pauzes tre mujore për shkak të pandemisë “Covid19”. Ndeshja e parë që u zhvillua sot ishte ndërmjet Ason Villës dhe Shefield United që përfundoi baras pa gola.

City me këtë fitore renditet në pozitën e dytë me 60 pikë, ndërsa Arsenali në pozitën e nëntë me 40 pikë, duke bërë një hap fals në garën për pozitën e katërt që siguron Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. Tetë pikë më pak se sa Chelsea që renditet në pozitën e katërt me një ndeshje me pak të zhvilluar. /Insporti.com/

-->