City më i shkathët se rivali United, pranë nënshkrimit me mesfushorin italian

Lufta edhe më e madhe për titull në Premier League, pritet të jetë sezonin e ardhshëm në mes rivalëve të qytetit, Manchester City dhe Manchester United.
Gjatë verës, të dy skuadrat do të mundohen të përforcohen, e sidomos United, pasi përkundër që përfundoi këtë sezon në vendin e dytë prapa City-t, diferenca në pikë është goxha e madhe.
Mirëpo, duket se përsëri “Cityzens” po tregohen më të shkathët se rivali i tyre Man.United, pasi janë më pranë nënshkrimit me mesfushorin italian të Napolit, Jorginho, të cilin thuhet se e dëshiron në radhët e veta edhe skuadra e “Djajve të Kuq”.
Në fakt, Manchester City për momentin është në “Poll Position” për të siguruar shërbimet e futbollistit 26 vjeçar, por trajneri Jose Mourinho, e ka udhëzuar përfaqësuesin e tij, Jorge Mendes, që të fillojë bisedimet me ata të futbollistit italian, përkundër që agjenti i Jorginhos, Joao Santos, ka pohuar se ende asnjë afrim apo ofertë nuk është bërë nga Man.United.
“Për momentin ka shumë spekulime lidhur me largimin e Jorginhos nga Napoli, mirëpo ende asgjë nuk ka në atë aspekt dhe ai është ende futbollistë i skuadrës italiane”, tha fillimisht agjenti Joao Santos.
“Gjëja e fundit që lexova në shtyp, ishte se Manchester United kishte bërë ofertë për futbollistin përmes përfaqësuesit të trajnerit Jose Mourinho (Jorge Mendes), mirëpo mua askush deri më tani nuk ma ka kontaktuar. Dhe marrë parasysh se klienti im (Jorginho) ka edhe dy vite në kontratën e tij me Napolin, atëherë shumë gjëra varen edhe nga presidenti napolitan, De Laurentis”, deklaroi Joao Santos, agjent i mesfushorit Jorginho. /Insporti.com