Çka do t’i bënte UEFA Çekisë nëse bëjnë thirrje politike kundër Kosovës?

Kombëtarja 14 Nëntor 2019 11:01

Federata e Futbollit të Çekisë, duhet të ketë kujdes të shtuar me tifozët e saj në ndeshjen e sontme ndaj Kosovës, që zhvillohet në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2020”.

Gazeta çeke “Idnes”, raporton se Federata e Çekisë duhet të bëjë një organizim të mirë të ndeshjes, përndryshe rrezikon të penalizohet.

Deklaratat e fundit të presidentit të Çekisë, Milos Zeman, ku përfshin vëllazërimin e tifozëve të Sparta Pragës me ata të Crvena Zvezdës kanë shtuar tensionet para ndeshjes me Kosovën.

Andaj sipas gazetës “Idnes”, ndonjë veprim i papranueshëm nga tifozët çekë mund të përcillet me dënim nga UEFA që në opsionin më të keq mund të penalizojë çekët me heqje të pikëve.

Frika se mund të ketë thirrje politike në ndeshjen e sotshme e ka kapluar edhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Çekisë, Martin Malikin.

“Do të doja t’u kërkoja të gjithë tifozëve të futbollit në Republikën Çeke të mos bëjmë thirrje apo veprime politike, ose pankarta në lidhje me Kosovën. Unë besoj që gjëja e fundit që e duam është të na hiqen pikë nga UEFA në Grupin A, që do të na kushtonte me kualifikim në EURO”, ka thënë Malik.

Para dy vjetëve, kur Sparta Prague kishte luajtur në një ndeshje kualifikuese për Ligën e Evropës kundër Crvena Zvezdës, tifozët çekë dhe ata serbë ishin bashkuar kundër Kosovës.

Kur serbët brohorisnin “Kosova”, në anën tjetër të stadiumit çekët përgjigjeshin “është Serbi”, ndërsa një pjesë e të pranishmëve në stadium duartrokiste.

Insporti raporton se para takimit me Çekinë të luajtur në ‘Fadil Vokrri’ në muajin shtator, në Kosovë disa tifozë çekë ishin arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohej se kishin planifikuar të lëshonin një dron gjatë ndeshjes.

Atyre përveç dronit po ashtu u ishte gjetur një flamur i Serbisë, një flamur anti-kombëtar dhe gjësende tjera.

-->