Mediat në Spanjë: Hazardi largohet nga Real Madridi

Futboll 03 Tetor 2019 10:02

Eden Hazardi këtë verë kompletoi kalimin e tij të ‘ëndrrave’ te Real Madridi, por jo gjithçka ka shkuar siç është pritur për të në Spanjë.

Në fakt, belgu po kalon një periudhë të vështirë, pasi deri tani ka dhuruar paraqitje zhgënjyese me madrilenët.

Në turneun parasezonal ai ishte në qendër të kritikave pasi që raportohej se ishte mbipeshë 7 kilogramë, dhe që nga atëherë ai nuk ka pasur një moment të mirë me fanellën e ‘Los Blancos’, transmeton Insporti

Ndërkaq, ishte vetë belgu ai i cili ditë më parë, në prag të sfidës me Club Bruggen, pohoi se ende nuk ka dhuruar paraqitje të nivelit që priten prej tij.

“Të gjithë e dimë historinë e numrit ‘7’ për këtë klub dhe ende duhet të dëshmoj sepse ende s’jam galaktik. E di se nga unë presin që t’i shënoj tre gola për ndeshje… duhet të prisni, golat do të vijnë”, kishte deklaruar Hazard.

28-vjeçari, që ishte synimi më i madh i Zidane për një kohë të gjatë, tani raportohet se mund të largohet nga “Santiago Bernabeu” në verë, vetëm një sezon pasi u bashkua me madrilenët.

Kështu pohon Don Balon, cituar në ‘CalcioMercato’, që shkruan se PSG ka shprehur interesim në futbollistin.

Sidoqoftë, edhe në rast të një largimi nga Reali, një rikthim për Hazardin në Chelsea duket tejet i vështirë. /Insporti.com/