Çmenduri në shtëpinë e kampionëve, Clippers realizon përmbysjen e pabesueshme

Basketboll 16 Prill 2019 11:26

Los Angeles Clippers kanë fituar 135-131 në fushën e kampionëve të Golden State, duke barazuar 1-1 serinë e çerekfinaleve në Konferencën e Perëndimit dhe duke hyrë në historinë e NBA-së, sepse arritën të përmbysin 31 pikë disavantazh nga perioda e tretë deri në fund.

Ndeshje e dominuar nga basketbollistët e Warriors, që u shkëputën deri në 31 pikë, por në fund erdhi përmbysja spektakolare e ekipit nga Los Anxhelosi, që regjistroi një rezultat të pjesshëm 72-37 për ta mbyllur me triumf.

Curry realizoi 29 pikë e Durant 21, por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen. Lou Williams me 36 pikë e 11 asist ishte lider në fushë për Clippers, mbështetur nga Harrell me 25 pikë e Gallinari me 24.

Në 1-1 është barazuar edhe seria e çerekfinaleve mes Philadelphias e Brooklyn. Skuadra e 76ers fitoi 145-123 ndaj Nets, në një ndeshje spektakolare. Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim, skuadra e Philadelphias u shkëput në pjesën e dytë.

Gjashtë lojtarë të Philadelphias realizuan mbi 10 pikë, me Embiid që realizoi 23 pikë e 10 rebound.

Ai u mbështet edhe nga Simmons, që realizoi një “triple double” (18 pikë, 10 rebound e 12 asist). Te Brooklyn zhgënjyen titullarët, duke mos dhënë atë që pritej.

Konferenca e Lindjes – Çerekfinale Play off

1-8 Milwaukee – Detroit, 121-86 (1-0)

4-5 Boston – Indiana, 84-74 (1-0)

3-6 Philadelphia – Brooklyn, 145-123 (1-1)

2-7 Toronto – Orlando, (0-1)

Konferenca e Perëndimit – Çerekfinale Play off

1-8 Golden State – Clippers, 131-135 (1-1)

4-5 Houston – Utah Jazz, (1-0)

3-6 Portland – Oklahoma, (1-0)

2-7 Denver – San Antonio, (0-1)