Conte u bojkotua nga lojtarët e tij?

Futboll 06 Shkurt 2018 00:30

Chelsea mbrëmë pësoi disfatë turpëruese nga Watford me rezultat 1:4, kurse blutë e Londrës pësuan tre nga katër golat në 10 minutat e fundit të ndeshjes , në kohën kur ishin me një futbollist më pak në fushë.

Mediat në Angli përtej përshkrimit të humbjes dhe paralajmërimit të largimit të Contes, kanë shkuar një hap tutje, duke pohuar se lojtarët e Chelseat në fakt kishin humbur shpresat në Conten dhe ishin dorëzuar tërësisht.

Para ndeshjes Conte kërkoi një mesazh nga Bordi i Chelseat, gjegjësisht nga pronari i klubit Roman Abramovich, por mbrëmë e mori mesazhin nga lojtarët e tij në fushë, thuhet në një shkrim në Mirror.

Në konferencë për media, Conte pohoi se “për të luajtur në një klub të madh duhet të kesh karakter dhe personalitet, posaçërisht në momente si këto, shihet mirë se kush është gati të luajnë në klub të madh e kush jo. Të luash me karakter do të thotë në rrezikosh nga pak”, ka pohuar Conte pas ndeshjes në një paraqitje emocionale para gazetarëve.

Kjo deklaratë e tij dhe kritikë e hapur ndaj lojtarëve, edhe më shumë fuqizon pohimet se ai ishte bojkotuar nga lojtarët.

Po ashtu italiani pohoi se çdo ditë jep 120% nga vetja dhe nuk mërzitet shumë nëse do të shkarkojnë apo jo, meqë në punën e tij e ka dhënë maksimumin.

Në dalje nga fusha, tifozët kanë fishkëlluar dhe kërkuar shkarkimin e Contes, trajnerit i cili me Chelsean sezonin e kaluar u shpall kampion i Anglisë dhe para vetëm disa muajsh ishte hero i tifozëve.

Media të shumta kanë paralajmëruar se shkarkim i Contes mund të ndodhë sot. Para se të marrë ekipin e Chelseat, Conte si trajner ka punuar me Juventusin dhe ne periudhën 2011 – 2014 ka fituar tre tituj të kampionit të Italisë.

 

-->