Courtoisin e pret një tjetër duel për numrin një te Reali

Futboll 03 Tetor 2019 19:39

Thibaut Courtois ka bartur barrën e kritikave nga tifozët dhe mediat pas barazimit befasues të Real Madridit 2:2 në shtëpi ndaj Club Brugget në Ligën e Kampionëve, të martën mbrëma. Është hapur debat nëse ai duhet të jetë portieri numër një në klub.

Portieri belg ende nuk ka hyrë në zemrat e tifozëve të Realit që nga transferimi vitin e kaluar dhe ka treguar një nga paraqitjet më të ngathëta me fanellën e Realit të martën ndaj Brugget. Brugge kishte kaluar 2:0 në epërsi në pjesën e parë me dy gola të shënuar nga Emmanuel Bonaventure.

Tifozët e Real Madridit, që janë të pafalshëm, e bënë të qartë se cili ishte fajtori i dy golave, duke e fishkëllyer zhurmshëm Courtoisin në dy raste para mbylljes së pjesës së parë.

Courtois 27-vjeçar ishte zëvendësuar menjëherë pas pjesës së parë, ndërsa trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, arsyetoi se belgu nuk po ndihej mirë.

Zëvendësuesi i tij, Alphonse Areola mbajti Realin në lojë me një pritje kyç të Bonaventures, duke u përshëndetur me duartrokitje nga tifozët.

Real Madridi në fund barazoi falë golave të Sergio Ramosit dhe Casemiros, por prapë mbetet në vend të fundit në Grupin A pas dy ndeshjeve. Është starti më i dobët në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për Realin, skuadrën që ka fituar 13 herë titullin e Evropës.