Coutinho mund të transferohet te skuadra e madhe angleze

Futboll 11 Janar 2019 22:19

Ndonëse klubi ka bërë përpjekjet për të minimizuar gjithçka, te Barcelona, çështja “Coutinho” është shumë pranë shpërthimit. Sikurse raportohet nga “Marca”, episodi që ushqeu dhe nxiti krizën në situatën aktuale ndodhi pikërisht të enjten, përpara ndeshjes mes Levantes dhe Barcelonës.

Jon Aspiazu, asistenti i trajnerit Ernesto Valverde, në një intervistë dhënë para ndeshjes deklaroi: “Coutinho mbase nuk është në të njëjtin nivel me vitin e kaluar”.

Ka mjaftuar kaq që menaxherët e futbollistit, Kia Joorabchian dhe Giuliano Bertolucci, të kontaktojnë me klubin për të shprehur pakënaqësinë dhe mos dakordësinë e tyre me situatën.

Coutinho humbi rëndësinë e tij në ekip dhe aktualisht e ka të pamundur të shfaqë performancë pozitive në fushë. Kundër Levantes loja e tij ishte shumë zhgënjyese teksa u numëruan plot 17 topa të gabuar.

Referuar tabloideve angleze, Barcelona mund të vendosë të sakrifikojë Philippe Coutinhon në qershor, për të mundësuar rikthimin e Neymarit te katalanasit.

Ish-ylli i Liverpoolit u transferua në janarin e vitit 2018 për shumën 130 milionë euro, duke nënshkruar një kontratë me Barcelonën, që skadon në qershor të vitit 2023. Referuar raportimeve, mësohet se Manchester United është interesuar për brazilianin Coutinho, që do të mundonte rikthimin e tij në Premier League.