COVID-19 po “shpërthen” në Superligë, Agim Ademi thotë: As që jam kah merrna me këtë punë

Superliga e Kosovës ditëve të fundit është “kapluar” nga koronavirus. Insporti ka raportuar për infektimin e futbollistëve të Flamurtarit, Drenicës si dhe në klubin e Vushtrrisë, ndërsa sot në medie është raportuar se edhe futbollisti Adem Maliqi është testuar pasi i janë shfaqur simptomat e “Covid-19”.
Kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në përfundim të Superligës së Kosovës, kanë filluar të shfaqen raste të infektimit në kampet e klubeve.
Përkundër kësaj situate së krijuar, kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës nuk është duke u marrë, pasi sipas tij doktorët në federatë duhet të merren me këto raste.
Insporti ka kontaktuar numrin një të FFK-së për të pyetur se a janë duke e vëzhguar situatën dhe a do të testohen futbollistët, por përgjigja e Ademit ishte tejet e çuditshme.
“Veti këta doktorët allahile se nuk jam t’u marrë me atë punë, veti doktorët pash zotin. Nuk i kam testet, kur të dalin testet, veti doktorët tonë që kanë lidhje me ta”.
Ademi dje ishtë në vizitë në klubin e Vushtrrisë ku ka zhvilluar takim me kryetarin e komunës, Xhafer Tahiri dhe kryetarin e klubit, Bajrush Kajtazin. Ndërsa, ditë më parë ka mirërpritur në dreka futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, si Edon Zhegrovën, Milot Rashicën dhe Valon Berisha.

Insporti mëson se futbollistët janë të shqetësuar me këtë situatë dhe se kanë frikë se do të infektojnë edhe familjarët e tyre.
Superliga ishte pezulluar për më shumë se dy muaj për shkak të pandemisë, ndërsa rifilloi më shtatë qershor.
Futbollistët e Superligës ishin testuar vetëm pasi futbollisti i Dritës, Izair Emini, rezultoi pozitiv me koronavirus.
Përveç futbollistëve, ishin testuar edhe gjyqtarët e Superligës duke rezultuar të gjithë negativ.
Vlen të theksojmë se në ndihmë të FFK-së dhe IKSHP-së, i ka dalur edhe presidenti i KF Prishtinës, Remzi Ejupi i cili ka sjellë rreth 15 mijë teste.
Ejupi me disa donatorë kishin deklaruar se këto teste në radhë të parë janë për qytetarët, por që mund të përdoren edhe për sportistët.
Ndryshe, deri më tani, në elitën e futbollit tonë, pozitiv me COVID-19 kanë rezultuar Izair Emini (KF Drita), gjyqtari Ilir Mehmeti, Gentrit Begolli (KF Flamurtari), Imer Ademi (kryetar i Flamurtarit) dhe mirëmbajtësi i KF Vushtrrisë, Mërgim Halili.
Federata e Futbollit së Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë hap rreth kësaj situate të krijuar, duke mos testuar futbollistët, kur kanë mbetur edhe dy xhiro për të përfunduar kampionati.
Superliga sot vazhdon me ndeshjen hapëse të xhiros së 32-të ndërmjet Dritës dhe Drenicës, ndërsa nesër do të zhvillohen takimet e radhës.
Kujtojmë se edicioni 2019/20 do të përfundojë në fund javë, pasi të dielën më 26 korrik do të zhvillohet xhiroja e 33-të. /Insporti.com/