Cristiano Ronaldo i qorton tifozët (Video)

Futboll 25 Qershor 2018 11:08

Kombëtarja e Iranit ka para vetes një detyrë të vështirë sot, pasi në ndeshjen e tretë të grupit B, sot me fillim në ora 20:00, do të takohet me Portugalinë, ku Iranit vetëm fitorja i kryen punë për ta kaluar grupin, derisa Portugalia edhe më një barazim vazhdon tutje.

Mirëpo, duke e ditur se Cristiano Ronaldo dhe Portugalia po mundohen të tregojnë se janë pretendent serioz në këtë kompeticion, atëherë iranianët janë të vetëdijshëm se portugezët nuk do të qëndrojnë duarkryq në këtë përballje.

Marrë parasysh këtë gjë, Iranit i nevojitet çdo ndihmë dhe një të tillë janë munduar t’ia japin disa tifozë të saj, të cilët ishin grumbulluar para hotelit ku po qëndron përfaqësuesja e Portugalisë, më saktësisht para dritares së dhomës së Cristiano Ronaldos.

Tifozët e Iranit duke bërë zhurmë me vuvuzela, ishin munduar që ta mbanin zgjuar pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, përmes një taktike që po përdoret së fundmi nga tifozë të ndryshëm.

Kjo e kishte irrituar Cristiano Ronaldon, aq sa portugezi kishte dalë në dritare dhe i kishte lutur ata ta ndalnin zhurmën, duke bërë madje edhe me gjeste se po mundohet të flejë, siç shihet në videon më poshtë.

Kjo nuk është hera e parë që Ronaldo e përjeton një taktikë të tillë, pasi edhe para ndeshjes në Champions League kundër PSG-së, tifozët francez e kishin bërë të njëjtën gjë para hotelit të Real Madrid, vetëm se zhurma ishte krijuar përmes fishekzjarrëve, çka e detyroi edhe policinë e Parisit të intervenonte në atë kohë. /Insporti.com

-->