Curri tërhiqet – Prishtina e “nderon” me një fjali në facebook

Futboll 05 Gusht 2018 11:42

Skuadra e Prishtinës tashmë ndodhet në Tiranë për duelin e pasditës që do ta zhvillojë ndaj ekipit me të njëjtin emër.

Ndërsa, krahas disa mungesa për arsye të ndryshme, Prishtina në këtë duel por edhe në sfidat e radhës nuk do të llogarisë në mbrojtësin, Debatik Curri.

Klubi ka njoftuar se Curri do t’i bashkohet stafit teknik.

“Debatik Curri nga ky edicion do të punojë me skuadrën, por do të jetë në stafin e trajnerit duke i dhënë ngadalë fund karrierës brilante që ka pas vetes”, njofton FCPrishtina, në një shkrim të gjatë ku paralajëmron takimin e sotëm.

Përndryshe Debatik Curri, 34 vjeçar, ka luajtur për Prishtinën në fillim të karrierës së tij, për të vazhduar më pas karrierën në Ukrainë (pesë sezone në Vorskla Poltava) dhe Turqi (tri sezone në Genclerbirligi) dhe nja katër sezone tjerë në Ukrainë dhe Shqipëri, ku kishte probleme me formë dhe me lëndime, për tu kthyer në Prishtinë më 2016.

Për gati një dekadë (2006 – 2015) ka qenë anëtar i kombëtares së Shqipërisë, duke debutuar në kohën e seletkorit Otto Baric, dhe ka luajtur 44 ndeshje ndërkombëtare, duke shënuar një gol.

-->