Dalin analizat e lëndimit të Ibrahimovic, Milani merr frymë

Futboll 26 Maj 2020 17:02

Frika ka kaluar dhe Zlatan Ibrahimovic mund të marrë frymë thellë tashmë, sepse pas analizave të kryera në klinikën “Colombus” është konfirmuar se tendina e Akilit nuk është dëmtuar dhe se shumë shpejt do të jetë në fushën e lojës.

Gjiganti suedez u ndal ditën e djeshme gjatë stërvitjes dhe frika më e madhe ishte për një dëmtim në tendinën e Akilit, që do të përkthehej në një pushim disa mujor, por analizat e detajuara konfirmuan vetëm një dëmtim të muskulit të pulpës së djathtë.

Tani Ibra do të pushojë dhe të nisë menjëherë terapitë rehabilituese, ndërsa pas 10 ditësh është parashikuar një tjetër kontroll, që do të përcaktojë saktësisht datën se kur mund të jetë gati për të luajtur.

Megjithatë parashikimet paraprake flasin për një ndalesë për maksimumi një muaj dhe në fund të qershorit suedezi do të jetë gati të ndihmojë skuadrën e Piolit për të mbyllur me sukses pjesën e mbetur të sezonit.

Kontrata e Ibrahimovic me Milanin do të përfundojë menjëherë pas mbylljes së sezonit, ndërsa kuqezinjtë po negociojnë që të rinovojnë edhe për një tjetër sezon, duke qenë se forma e shfaqur nga suedezi në fushë, ka dhënë garanci të mëdha.

Megjithatë e ardhmja e tij është e lidhur ngushtë edhe me fatin e Stefano Piolit në pankinë, pasi nëse italiani qëndron, do të këmbëngulë për qëndrimin e Ibrës, ndërsa krejt e kundërta do të ndodhë nëse vjen gjermani Rangnick, që më shumë se suedezin preferon të punojë me lojtarë të rinj.

-->