Dallku: Ia vështirësuam vetës, por arritëm një fitore të madhe

Futboll 20 Qershor 2020 21:19

KF Prishtina ka vazhduar me formën e lartë edhe në xhiron e 25-të të IPKO Superligës së Kosovës. Prishtina ka mposhtur me lehtësi Dukagjinin në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat të thellë 4:1, raporton Insporti.com.

Trajneri i klubit kryeqytetas, Armend Dallku pas ndeshjes deklaroi për mikrofonin e SuperSport se futbollistët e tij nuk ishin në formë të mirë para portës sonte. Dallku për skuadrën kundërshtare deklaroi se duhet të luajnë kështu si ndaj Prishtinës edhe në ndeshjet e ardhshme. “Ndeshjen e vështirësuam ne, pasi që nuk konkretizuam rastet që kishim. Pranuam një gol të evitueshëm. Por, me vendosmëri e futbollistëve dhe angazhim maksimal arritën të mbyllnim ndeshjen për të marrë një fitore të rëndësishme. Shpresojmë që kundërshtari të luajë i motivuar edhe me skuadrat tjera, ashtu siç luajtën të motivuar edhe me Prishtinën”

John, Uka, Januzi e Korenica shënuan për vendësit, kurse për mysafirët Merlaku ishte ai që shënoi.

Pas kësaj fitore, Prishtina tashmë rikthen pozitën e dytë në tabelë me 50 pikë, vetëm dy pikë larg liderit Dritës me 52 pikë.

Prishtina udhëton drejt Podujevës për t’u takuar me Llapin në kuadër të xhiros së 26-të.

Ndërsa, Dukagjini me këtë humbje edhe matematikisht ka humbur gjasat për qëndrim në Superligë edhe për sezonin e ardhshëm, pasi renditet në pozitën e fundit me dhjetë pikë. /Insporti.com/

-->