Dallku pas ndeshjes: Direkt karton i kuq është e tepërt

Futboll 20 Tetor 2021 15:25

Ka përfunduar edhe xhiro e 10-të në Superligën e Kosovës.

Pas barazimit me Dukagjinin, Ballkani tani është lider i vetëm në tabelë me 18 pikë, një më shumë se Drenica dhe Gjilani që renditën në pozitat dy, respektivisht tre.

Pas ndeshjes, trajneri i Dukagjinit tha se kartonët e kuq për skuadrën e tij janë bërë të tepërt. Januzi u ndëshkua direkt me kartonin e kuq në minutën e 82-të. I njëjti futbollist ishte ndëshkuar me të kuq edhe në ndeshjen e parë të sezonit kundër suharekasve.

“Kishim përshtypje se ne kishim frikë nga Ballkani dhe ata kishin nga ne. Nuk jemi aspak të kënaqur me kartonët e kuq. Kjo është e tepërt. Maksimumi i ndërhyrjes së tij ishte kartoni i verdhë. Sidoqoftë, ata po e shohin ndryshe, ne ndryshe. Por, direkt karton i kuq është e tepërt”, tha fillimisht Dallku.

“Do të luftojmë për të marrë maksimumin në çdo ndeshje. E kemi përmendur më herët, pavarësisht se kush është kundërshtar. Nuk jemi të kënaqur me numrin e pikëve deri tani, synojmë që të marrim sa më shumë pikë. Duhet t’i shohim ku i kemi pasur problemet deri tani. Ne nuk e kemi objektiv që të dalim në vendin e parë. Objektiv e kemi që të bëjmë një ekip solid që do t’i bënte problem çdo ekipi”, theksoi Dallku.

-->