Damir Mulaomerovic tregon arsyet pse Kosova humbi ndaj Britanisë së Madhe

Kombëtarja 08 Gusht 2019 12:04

Kosova pësoi nga Britania e Madhe 63:71, në ndeshjen parakualifikuese për EuroBasket 2021, derisa pas ndeshjes kanë folur edhe trajnerët dhe dy lojtarët më të mirë nga skuadrat respektive.

Gabriel Olaseni, basketbollisti i Britanisë së Madhe është shprehur: “Trajneri na ka përgatitur mirë për këtë ndeshje. Nuk ishte aspak e lehtë, sepse Kosova ka një ekip shumë të mirë, derisa tani duhet të përgatitemi për ndeshjen e ardhshme”.

Nathan Reinking, trajneri i Britanisë së Madhe, deklaroi:

“Kosova ka një ekip shumë të mirë dhe na kanë krijuar shumë probleme. Por, në momentet vendimtare, kemi kontrolluar lojën”, theksoi ai në konferencën për media.

Drilon Hajrizi, basketbollisti i Kosovës:

“Loja ka qenë shumë i mirë, por ata kanë pasur përparësi në lojtarë më të gjatë dhe më me përvojë. Kemi edhe dy ndeshje dhe akoma besojmë në kualifikim”, deklaroi Hajrizi.

Pas ndeshjes ka folur edhe trajneri i Kombëtares së Kosovës, Damir Mulaomerovic.

“Ne kishim shanse për të fituar këtë lojë. Djemtë po luanin mirë, por mungesa e lojtarit kryesor të qendrës, Lis Shoshi pati shumë ndikim. Lojtarët kanë luajtur mirë në mbrojtje, por jemi ndëshkuar nga Britania e Madhe, në gabimet që kemi bërë”, deklaroi Mulaomerovic pas ndeshjes.