Dardanët e rinj barazojnë me kampionin e Evropës  

Kombëtarja 10 Tetor 2019 19:01

Në ndeshjen e parë në kualifikimet për Evropianin “Estonia 2020”, në kuadër të Grupit të 12-të, që po mbahen në Venray të Holandës, Kombëtarja U17 në ballafaqim me Holandën, kampion i Evropës, për këtë grup-moshë, ka luajtur baras, që është një nisje jashtëzakonisht e mirë në këto kualifikime.

“Tulipanët” shënuan herët në minutën e 10-të pas një pakujdesie të mbrojtjes me anë Jeminezit, por djemtë e Kosovës nuk u dekurajuan nga epërsia e vendasve, përkundrazi morën forcë, shtrënguan radhët dhe arritën të jenë rivalë të barabartë me kampionin.

Pjesa e parë përfundoi me epërsinë e Holandës, ndërsa pjesa e dytë jo vetëm që ishte plotësisht e barabartë, por Dardanët e rinj arritën të shënojnë edhe golin e barazimit në minutën e 60-të përmes Granit Hanës.

Kështu deri në fund të ndeshjes arritën që ta ruajnë këtë rezultat që është shumë domethënës sidomos kur kihet parasysh kundërshtari dhe ndeshja e parë në këtë rreth.

Futbollistët tanë dhanë gjithçka nga vetja për këtë rezultat. Në ndeshjen tjetër Uellsi shënoi fitore 1:0 kundër Sllovenisë, me të cilën Kosova ballafaqohet në ndeshjen e dytë, të shtunën, prej orës 13.00.

Pas ndeshjes deklaruan:

Besnik Kollari, përzgjedhës: Në radhë të parë dua t’i falënderoj dhe t’i përgëzoj djemtë për një angazhim të pashoq, të cilët dëshmuan karakter të fortë dhe dëshirë për rezultat pozitiv, kundër një kundërshtari kaq të fortë si Holanda që është kampion i Evropës. E kemi ditur se kemi një kundërshtar jashtëzakonisht të fortë dhe që do të kemi një ndeshje të vështirë. Ndaj, dhe kam kërkuar nga futbollistët që të jenë të vëmendshëm, gjë që ata zbatuan detyrat mirë. Kishim dy tre futbollistë që për herë të parë na u bashkëngjitën dhe nuk kishim një grumbullim. Si do që të jetë futbollistët luajtën fortë dhe arrite këtë barazim që na jep shpresë dhe na ndihmon për ndeshjet tjera. Pavarësisht se barazuam me Holandën si  favorite, ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Do të përpiqemi që të bëjmë mirë regjenerimin e ekipit dhe të përgatitemi për ndeshjet e radhës që nuk janë aspak kundërshtar të lehtë.

Rigon Spahiu, kapiten: Kemi pasur një kundërshtar, shumë të fortë, por ne kemi luajtur dhe kemi bashkëvepruar jashtëzakonisht mirë me njëri-tjetrin. Gjatë gjithë ndeshjes komunikimi ka qenë në nivel prandaj edhe arritëm këtë rezultat të mirë. Na presin dhe dy sfida të forta.

Albin Nishori, futbollist: Holanda njihet si vatër e talenteve të rinj, ndaj edhe është pritur një ndeshje e vështirë. Ndonëse pranuam gol herët, ne për asnjë moment nuk u dorëzuam, përkundrazi mblodhëm forcat dhe barazuam. Kemi edhe dy ndeshje të  forta për besoj që do të arrijmë rezultatin e duhur.

Holanda U17- Kosova U17   1:1 (1:0)

Stadiumi: “SV Venray”

Shikues: 1500

Gjyqtarë: K. Hegenes, S. Jovanoviç, A. O. Dale e M. Milaçiç.

Shënues: Jeminez (10) për Hol. Dhe Hana(69) për Kos.

K.V.:Jeminez, Dirksen të Hol.

Holanda U17:D. V.d. Heuvel, S. Bonnah, D. Owusu, J. Dirksen, Y.Baas, C. Caschilli, D. Hoogewerf, M. Jimeniz(Somons), Y. Barasi, F. De Jong(Hillen), M. Brederode.

Kosova U17:Bytyqi, Kuçi, Thaçi(A. Krasniqi), Halili, Shaphiu, Hoti, Tahiri(Demi), Ibrahimi(Hana), Pervetica(Berisha), Ademi(Morina) e Nishori.