Davi de Gea ka një lajm për tifozët e Manchester United

Futboll 03 Maj 2018 13:52

Portieri i Manchester United, i cili ditë më parë u zgjedh për herë të katërt lojtari më i mirë i vitit i “Djajve të Kuq”, ka kohë që po lidhet me një kalim të mundshëm te Real Madrid.

Manchester United nuk arritën këtë sezon ta sfidojnë rivalin e tyre të qytetit Manchester City për titull, e po ashtu edhe aventura e tyre në Ligën e Kampionëve përfundoi më herët se sa që e kishin imagjinuar dhe tani të vetmin trofe që kanë gjasa ta fitojnë, është ai i FA Cup, ku në finale do të ndeshen me Chelsean.

Mirëpo përkundër gjithë kësaj, portieri spanjoll ka vendosur të qëndroj në “Old Trafford” dhe të tentojë me Man.United të shpallet kampion i Premier League sezonin e ardhshëm dhe të jenë pretendent më serioz në Champions League.

De Gea në një intervistë për “Sky Sports” deklaroi se United nuk arriti mjaftueshëm këtë sezon, përkundër që kanë mundësinë ta fitojnë një trofe në fund.

“Nuk kemi arritur ta realizojmë objektivin tonë kryesor, titullin e Premier League, e po ashtu edhe Liga e Kampionëve ishte një dëshpërim për ne”, tha De Gea.

“E qartë që kemi mundësinë ta fitojmë trofeun e FA Cup dhe do të tentojmë me të gjitha forcat ta arrijmë atë pasi është një titull i rëndësishëm, mirëpo ajo nuk është e mjaftueshme, pasi ne jemi Manchester United dhe duhet të synojmë më shumë se kaq”.

“Sezonin tjetër duhet të fokusohemi për t’u përmirësuar në disa aspekte ku kemi çaluar, pasi nuk do ta sfidojmë vetëm Manchester Cityn për titull të Premier League, por aty do të jenë edhe ekipe tjera”, deklaroi David de Gea.

Përndryshe, javën e kaluar trajneri Jose Mourinho, u shpreh se nuk ka asnjë gjasë që David de Gea do të largohet nga “Old Trafford”.

Manchester United është duke e bërë gati rinovimin e kontratës me një ofertë të re për portierin spanjoll, ku pritet një rritje e dukshme e pagës, derisa De Gea momentalisht paguhet 200.000 funte në javë tek “Djajtë e Kuq”. /Insporti.com

-->