David Beckham parashikon një finale interesante në Botëror

Futboll 21 Qershor 2018 13:02

Ish-kapiteni i Anglisë, David Beckham, ka dhënë një deklaratë dhe parashikim interesant, se cili do të jetë çifti finalist në Kampionatin Botëror “Rusia 2018”.

Beckham i cili në 1/8 e finales në Kupën e Botës “Franca ’98”, ishte larguar me karton të kuq në ndeshjen kundër Argjentinës, me ç’rast “Albiceleste”-ët kishin avancuar pastaj tutje pas ekzekutimit të penalltive, mendon se Anglia dhe Argjentina do të takohen në finale këtë Botëror, pasi këto dy kombëtare kanë histori dhe “çështje” të pazgjidhura në mes vete në Kupën e Botës dhe janë të paracaktuar të ndeshen përsëri në një kompeticion të tillë.

Pas Botërorit të vitit 1998 në Francë, në atë pasues të vitit 2002 në Kore dhe Japoni, përfaqësuesja e “Tre Luanëve”, iu revanshua Argjentinës për eliminimin e katër viteve më parë, pasi përmes golit nga penalltia që u shënuar pikërisht nga David Beckham, Anglia e mposhti Argjentinën në fazën e grupeve, ku “Albiceleste”-ët nuk arritën ta kalojnë fare as grupin.

“Unë besoj se Anglia do të luaj në finale me Argjentinën dhe normalisht se zgjedhja ime për të triumfuar në atë përballje do të ishte Anglia. Mirëpo, kjo do të thoshte se unë jam i anshëm, pasi po e them këtë për shkak të lidhjes emocionale që kam me vendin tim”, tha Beckham.

Duke folur për grupin e lojtarëve që ka për momentin përfaqësuesja e Anglisë, Beckham mendon se “Tre Luanët” kanë potencial, përkundër se ju mungon eksperienca për shkak të moshës së re.

“Jam shumë u lumtur që e fituam ndeshjen e parë në grup. Anglia ka një skuadër të re në moshë dhe nuk kanë shumë eksperiencë ende, mirëpo ky rrugëtim në Kupën e Botës për ta, do të bëhet edhe më i vështirë derisa avancojnë më tutje, pasi në këtë Botëror ka disa kombëtare që kanë skuadra shumë kualitative”, deklaroi David Beckham.

Anglia është pjesë e grupit G, ku bëjnë pjesë edhe Belgjika, Tunizia dhe Panamaja, derisa “Tre Luanët” ndeshjen e parë kundër Tunizisë e fituan vetëm në kohën shtesë në fund të ndeshjes me rezultat 2-1.

Përballjen e radhës, Anglia e zhvillon të dielën më 24 qershor kundër Panamasë, para se të ndeshet pastaj me Belgjikën më 28 qershor, në ndeshjen e fundit në kuadër të fazës së grupeve. /Insporti.com

 

-->