David Coulthard, kampion i kampionëve

Formula 1 04 Shkurt 2018 15:24

David Coulthard, ish ylli skocez i Formula 1 është fitues i garës Race of Champions, që zhvilluar në Riad të Arabisë Saudite.

Coiulthard, ish vozitës i ekipeve Williams, McLaren dhe Red Bull, në finalen e kësaj gare ishte më i shpejtë se Petter Solberg, norvegjezi, i cili dikur ka qenë kampion i botës në reli dhe për vite me radhë vozitës i ekipeve Subaru dhe Ford.

Race of Champions është një prej spektakleve më të mëdha në motosport dhe aktualisht është e vetmja garë ku kampionë dhe fitues të të gjitha disiplinave të autosportit duke filluar nga Formula 1 e WRC, e deri tek Nascar, sfidohen ndërmjet vete në një shteg dhe me automobilë të njëjtë.

Fitues të viteve të kaluara të kësaj gare kanë qenë Carlos Sainz, Juan Pablo Montoya, Sebastien Loeb, Colin McRae dhe emra të tjerë shumë të famshëm.

Gara e Kampionëve zakonisht zhvillohet në ndonjë shteg të mbyllur të adaptuar dhe viteve të fundit është trend që të zhvillohet në stadiume futbolli, ku shtrohet asfalti dhe përgatitet një shteg i ngushtë për gara dhe u mundëson të gjithë shikuesve të shohin vozitësit përgjatë gjatësisë së plotë të shtegut.

Në pamjet e finales shihet se edhe sivjet kjo garë ka tërhequr numër të madh të shikuesve dhe ka mbledhur bashkë yje të dikurshme dhe të tashme të garave.

-->