De Vrij i demoralizuar

Futboll 15 Mars 2019 21:20

Një gabim që ka njollosur një sezon që deri tani ishte shumë pozitiv dhe që në fund ka qenë vendimtar në eliminimin e Interit nga Europa League.

Stefan de Vrij është i demoralizuar për atë që ka ndodhur të enjten në mbrëmje në “Giusseppe Meazza” kundër Eintracht Frankfurtit. Goditja e tij me kokë, në fakt, ka nxjerrë para portës Jovicin, që ka realizuar golin e kualifikimit për ekipin gjerman.

Një gabim që ka ardhur në minutat e para të ndeshjes dhe të cilin ai me shokët e tij të ekipit nuk kanë arritur ta ndreqin. I intervistuar nga “Fox Sports”, mbrojtësi holandez ka thënë:

“Ai i së enjtes ka qenë vetëm një gabim, por disa gjëra ndëshkohen menjëherë. Nuk doja ta godisja topin në atë mënyrë, por distanca me portën ishte shumë e madhe, për këtë arsye doja ta godisja dy herë me kokë. Duhej ta nxirrja topin në rivënie anësore”, ka thënë De Vrij.

“Është një çmenduri që të bëhen gabime të tilla, por kishim gjithsesi 80 minuta për të rikuperuar. E harrova atë që ndodhi dhe kam luajtur në mënyrë racionale, por nuk ka mjaftuar për të përmbysur rezultatin”, ka shtuar holandezi.

“Eliminimi nga Europa League është një zhgënjim i madh, për ne ishte një objektiv i rëndësishëm pas eliminimit nga Champions League. Dalja nga gara është shumë e dhimbshme”, ka përfunduar De Vrij.