Deklarata e nënkryetarit të FFK-së demantohet nga Lul Raka

Vendimi i Federatës së Futbollit së Kosovës për të vazhduar vetëm me Superligën ka ngjalluar reagime të shumta. Ditë më parë FFK vendosi që Liga e Parë dhe Liga e Dytë të përfundojnë sezonin sipas renditjes tabelare, pasi nuk ka kushte për të rifilluar.
Insporti gjatë javës së kaluar raportoi për pa kënaqësinë e disa klubeve të Ligës së Parë rreth vendimit për ta përfunduar kampionatin.
Mbrëmë ka ndodhur një përplasje së deklaratave të nënkryetarit të FFK-së, Bakir Burri dhe mikrobiologut Lul Raka, se kush ka vendosur për vazhdimin e Superligës, Ministria e Shëndedetsisë apo FFK.
Burri ishte i ftuar në emisionin “Sporti në KTV”, në të cilin deklaroi se Ministria e Shëndetësisë ka vendosur për të vazhduar Superliga, e jo FFK. “Na është përgjigjur ministria, ku thotë se lejohet vetëm Superliga, vetëm aktivitet e Superligës, e kemi me shkrim. Vendimi nga ministria ka ardhur tri javë para se të vendosim, na për këtë arsye kemi vonuar disa vendime duke shpresuar të luhet edhe Liga e Parë”.
Edhe pse Burri insistonte se vendimi ka ardhur me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë, në momentin kur iu prezantua vendimi nga moderatori “a është ky vendimi”, ai deklaroi se nuk e di.
Po në të njëjtën natë, në studio tjetër kjo deklaratë e Burrit është “demantuar” nga mikrobiologu Lul Raka.
Raka i ftuar në emisionin “Koha Shtesë” ka deklaruar se vendimin për të përfunduar Ligën e Parë dhe Ligën e Dytë e ka marrë Federata e Futbollit. “Vendimi për ndërprerjen e garave të tjera e ka marrë Federata e Futbollit e Kosovës dhe jo Ministria e Shëndetësisë apo Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë. Instituti vetëm se ka bërë vlerësimin e rrezikut të përgjithshëm dhe sa më shumë që të ketë gara, aq më shumë do të rritej rreziku, por kategorizimin se cila ligë ka përparësi për t’u vazhduar e ka bërë ekskluzivisht Federata e Futbollit e Kosovës”.
Më 27 maj, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së zhvilloi mledhjen për të vendosur rreth fatit të Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë. Nga ajo mledhje, doli vendimi për t’i përfunduar me renditje tabelare.
Si rezultat i këtij vendimi, nga sezoni i ardhshëm në Superligë do të jenë Besa e Pejës (si kampione e Ligës së Parë) dhe Arbëria, që për herë të parë në histori do të jetë pjesë e Superligës.
Përkundër faktit se dy klube janë inkuadruar në Superligë, nga Liga e Parë asnjë nuk është larguar, pra nga sezoni i ardhshëm Liga e Parë do të zhvillohet me 20 klube. /Insporti.com/