Deklarata shokuese: Joshua nuk mban mend asgjë pas rundit të tretë

Boks 03 Qershor 2019 22:30

Boksieri britanik Anthony Joshua është i fiksuar për të rimarrë sërish titujt kampionë bote në peshën e rëndë.

Për këtë arsye, aj i ka kërkuar promotorit të tij Eddie Hearn që të zyrtarizojë sa më shpejt rimeçin ndaj meksikanit Andy Ruiz Jr.

Ky i fundit fitoi me “TKO” në rundin e shtatë, në duelin e zhvilluar më 1 qershor në Nju Jork.

Hearn, duke folur dy ditë pas duelit që tronditi sportin e boksit, tha: “Anthony nuk është nga ata njerëz që nisin e qajnë. Ai sheh përpara, duke analizuar paraqitjen e tij dhe menduar për të ardhmen. Që të nesërmen e duelit ai kërkonte të rimerrte titujt e kampionit të botës”, u shpreh Hearn.

Hearn shprehet se Joshua nuk mban mend shumë gjëra pas rundit të tretë, kur mori një goditje të fortë në kokë.

“Mendoj se nuk mban mend shumë gjëra pas raundit të tretë. Edhe pse ai qëndroi në këmbë edhe në momentin kur gjyqtari ndali duelin, Joshua ishte shumë konfuz. Nëse do të kishte mbledhur më shpejt veten mund ta fitonte atë duel. Gjyqtari i tha nëse donte të vazhdonte duelin dhe ai tha po. Joshua nuk do të dorëzohej kurrë”, tha Eddie Hearn.

Sipas kontratës, dy boksierët duhet të zhvillojnë në Britaninë e Madhe rimeçin, në muajt e fundit të këtij viti.

“Ne dueluam në shtëpinë e Ruiz, tani presim që ai të vijë në shtëpinë tonë”, tha Hearn.