Deklaratat e Jupit që bënë bujë në Kosovë – kjo është arsyeja pse e lavdëron Rashicën

Kombëtarja 18 Qershor 2019 12:02

Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë dhe ish-trajneri i Shqipërisë U21, Redi Jupi, njihet për deklaratat e tij që i bën për Kombëtaren e Kosovës.

Redi Jupi, që tani është analist futbolli, ka dhënë disa deklarata kontroverse për Kosovën, të cilat kanë bërë bujë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, shkruan Insporti

Jupi ka vetëm fjalë të mira për Milot Rashicën, të cilin e kishte trajnuar sa ishte në krye të Kombëtares U21 te Shqipëria.

Insporti raporton se Rashica kishte debutuar me Shqipërinë U21 pikërisht nën drejtimin e Redi Jupit, më 3 shtator të vitit 2015, në ndeshje kundër Izraelit.

Jupi ishte për 12 ndeshje trajner i shpresave të Shqipërisë, nga gushti i 2015-tës deri në tetor të 2016-tës.

Kurse, Rashica bëri 6 paraqitje me kombëtaren U21, para se të bënte debutimin me kombëtaren A në mars të 2016-tës nën drejtimin e Giovanni De Biasit. Me kombëtaren shqiptare Rashica bëri vetëm 2 paraqitje, para se t’i bashkohej Kosovës, kombëtare me të cilën debutoi në shtator të 2016-tës.


Rashica në kohën kur ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë

Sipas Jupit, Rashica është i vetmi lojtar nga Kosova i cili është mjaftueshëm i mirë për të luajtur te Kombëtarja e Shqipërisë.

Njëjtë nuk mendon edhe për Arbër Zenelin, i cili vitin e kaluar u zgjodh futbollisti më i mirë në Kosovë.

“Me Rashicën nuk krahasohet asnjëri. Kosova nuk ka ekip më të mirë se Shqipëria. Nga lojtarët e Kosovës vetëm një lojtar mund të luajë te Shqipëria, Milot Rashica, asnjë tjetër”, ka deklaruar Jupi në emisionin ‘Procesi Sportiv’.

Deklaratat tjera të Jupit të cilat kanë shkaktuar kontroversi, janë ato ku ai thotë se Kosova nuk ka ekip më të mirë se Shqipëria aktualisht, dhe se kuqezinjëve po iu mungon entuziazmi në kombëtare.

Madje, Jupi kishte refuzuar ta cilësojë si vëllazërore miqësoren Kosovë – Shqipëri, e cila u luajt vitin e kaluar në Zvicër.

Ai thoshte se nuk e kupton pse kjo përballje duhej të cilësohej si vëllazërore, pasi Kombëtarja e Shqipërisë e ka garën pikërisht me Kombëtarën e Kosovës, për lojtarët që janë në dyshim cilën kombëtare të zgjedhin.

“Nuk mendoj se ndeshja me Kosovën është përgatitur si duhet. Vërtetë që disa lojtarë kanë qenë tanët, por ata janë në garë me ne për lojtarët. Për ne ai ishte një shans i humbur. Nuk duhej ta luanim ashtu ndeshjen”.

“Pse quhet vëllazërore? Ajo është një ndeshje për të fituar. Lojtarët bëjnë llogaritë e tyre, për të zgjedhur Shqipërinë apo Kosovën. Lojtarët që janë të dyzuar se kë të zgjedhin, pas kësaj ndeshje kanë parë që Kosova mund të jetë më e mirë se Shqipëria”, kishte thënë ai.

Në nëntor të vitit të kaluar, kur Kosova ishte në ecuri të jashtëzakonshme në Ligën e Kombeve – aty ku edhe e fitoi grupin – Jupi kishte deklaruar se Shqipëria vazhdonte të ishte kombëtare më e mirë, dhe se Kosova do ta kalonte Shqipërinë pas 5 apo 6 vitesh. /Insporti.com/