Deklarohet gjyqtari i ndeshjes Real Madrid – Juventus

Futboll 27 Prill 2018 09:09

Gjyqtari anglez, Michael Oliver, i cili kishte drejtuar ndeshjen e dytë çerekfinale në “Santiago Bernabeu” në mes Real Madrid dhe Juventus, ishte shndërruar në personin më të urryer nga tifozët e “Zonjës së Vjetër”, pasi akordoi penalltinë në fundin e ndeshjes, me të cilin gol madrilenët e eliminuan skuadrën italiane.

Michael Oliver, foli për herë të parë, mbi abuzimin që ai dhe bashkëshortja e tij vuajtën nga tifozët, për shkak të penalltisë që ngjalli diskutime dhe që ende shkakton polemika e ndasi.

Pas suksesit të Real Madrid në sfidën e parë në Torino, askush nuk e kishte menduar përmbysjen e madhe të Juventus në “Bernabeu”.

Futbollistët e “Zonjës së Vjetër” arritën të barazojnë rezultatin e përgjithshëm, por goli i Cristiano Ronaldos nga penalltia e kualifikoi ekipin e “Los Blancos”. Ai vendim i marrë në një fraksion sekonde, u kontestua për ditë me radhë, ashtu si familja e gjyqtarit Michael Oliver.

“Ishin ditë të çuditshme, por u ndjeva mirë që shumë njerëz brenda dhe jashtë kësaj loje, ishin të gatshëm dhe më ofruan mbështetje. Ishte diçka e thjeshtë, por që për mua ishte domethënëse. Kisha njerëz që më takonin në rrugë duke më thënë se më respektonin dhe njerëz pranë futbollit më dërguan shumë mesazhe”, tha gjyqtari anglez.

Mbështetja më e madhe për Michael Oliver, erdhi nga federata angleze e futbollit, që i dha drejtimin e finales së FA Cup, në mes Manchester United dhe Chelsea, ku “Djajtë e Kuq” nuk është se ishin të kënaqur me këtë zgjedhje.

“U ndjeva krenar që më caktuan finalen pasi këto mundësi vijnë rrallë për një gjyqtarë. Është e bukur sesi vijnë gjërat, pasi finalja e 1994 mes Manchester United dhe Chelsea, ishte e para që mbaj mend se kam parë nga një ndeshje futbolli. Kurse, ja ku jam tani, duke drejtuar një sfidë të tillë, 24 vjet më vonë”, tha Michael Oliver. /Insporti.com

-->