Del Piero befason me fjalët për Juventusin

Duhej të ishte viti i duhur, me një ekip të kompletuar mbi të gjitha nga blerja e Cristiano Ronaldos, mbretit të Champions League, por dështimi këtë radhë ka qenë edhe më i madh, sepse bardhezinjtë i eliminoi një rival dukshëm inferior në buxhet e paga, Ajax, me një skuadër me shumë lojtarë më të rinj se 23 vjeç.
Në analizën e tij për Sky Sport, një ndër legjendat e Juves, Alessandro Del Piero, është munduar të shpjegojë çfarë u mungon bardhezinjve: “Juve është rritur në vlerë, por në 4 ndeshjet me eliminim direkt në Champions ka treguar se nuk mjafton kaq, edhe me lojtarin më të mirë në qarkullim në përbërje”.
“Humbja me Ajaxin nuk ishte një rastësi apo fat i keq, në 4 ndeshjet e fundit vetëm në kthim ndaj Atleticos pati një shkëndijë, për shkak të humbjes në Madrid, ku realisht Juve bëri shumë pak. Duhet punuar më në thellësi, problemi është shumë serioz, sepse ndeshja kundër Ajax tregoi se Juve duhet të shohë edhe jashtë Italisë. Nuk mjafton të dominosh në Serie A, Evropa ka ecur me hapa të mëdhenj”.
Del Piero evidentoi atë që i ra në sy në ndeshjen e së martës: “Nuk do merresha shumë me aspektin fizik, sepse më impresionoi mënyra si ishte vendosur në fushë Ajax. Djem të asaj moshe duket qartë që kanë një sistem dhe një njohuri të futbollit që i lejon të luajnë me një lehtësi shprehjeje totale. Ajax e lodhi Juven, me mënyrën si e mbulonte fushën dhe si e lëvizte topin”.
“Në ndeshjen e vajtjes Douglas Costa u fut dhe i dha frymëmarrje lojës sulmuese të Juves, ndërsa në kthim dukej qartë që Juves i mungonin disa armë, si për shembull personaliteti i Chiellinit. Nuk e di nëse Juventusi u lodh nga presioni dhe loja e Ajaxit, apo sepse mungonin disa lojtarë të rëndësishëm”.