Demolli tregon kur do t’i kthehet punës

Sporte luftarake 03 Prill 2020 21:33

Ekipi i Përfaqësueses së Kosovës në boks sot është liruar nga karantina, ku qëndroi (në Qendrën e Studentëve) pas kthimit nga Londra. Boksierët e Kosovës ishin në turneun kualifikues për Lojërat Olimpike, i cili u ndërpre për shkak të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Pjesë e grupit ishte edhe sekretari, njëkohësisht zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli.

Në një prononcim për Insportin, ai ka thënë se trajtimi gjatë karantinës ishte i mirë, por sigurisht që nuk ishte e lehtë të qëndrohet aty. “Kemi qëndruar 17 ditë në karantinë dhe pavarësisht se jemi trajtuar mirë, diçka e tillë nuk ishte e lehtë. Sidoqoftë, me rëndësi është që edhe pas testit të dytë, të gjithë kemi dalë negativë dhe tani jemi në shtëpitë tona”, ka thënë Demolli për Insporti.com.

Ai ka theksuar se shumë shpejt do të jetë në vendin e tij të punës. “Tashmë nuk ka asnjë rrezik dhe unë do të kthehem në vendin e punës. Shpresoj që e gjithë kjo sfidë të kalojë sa më shpejt dhe të gjithë t’i kthehemi normalitetit”, ka shtuar Demolli./Insporti/.

 

-->