Dështon grupi i Erolld Belegut në zgjedhjet Komitetit Olimpik të Kosovës

Basketboll 26 Mars 2021 00:01

Komiteti Olimpik i Kosovës në mbledhjen e Asamblesë Zgjedhore të mbajtur sot, ka zgjedhur Bordin e ri Ekzekutiv që do të ushtrojnë detyrën gjatë Ciklit Olimpik 2021-2024raporton Insporti.com.

Prej 19 kandidatëve sa ishin në garë, u zgjedhën 9 kandididatë për anëtar të ri të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut, të cilët morën më së shumti vota.

Kandidat ishte edhe kryetari i Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu por që nuk ka arritur të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë anëtar i Bordit Ekzekutiv.

Nga FBK, kandidate për president të KOK, ishte edhe nënkryetarja Linda Shala por që mori vetëm 11 vota.

Arben Fetahu dhe Linda Shala njihen si persona të afërt me biznismenin e fuqishëm Erolld Belegu.

Ish kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, ishte përfshirë në zgjedhjet për kryetar të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Belegu përmes një letre të hapur ka akuzuar ish presidentin e KOK-ut, Besim Hasanin se po synonte vazhdimin e mandatit si delegat i sportit joekzistues në Kosovë – kërllingut.



Ai mbështeti kandidaten nga Federata e Basketbollit të Kosovës, Linda Shala, Federata kjo të cilin Begolli e udhëhoqi deri në vitin 2018.

Anëtarët e zgjedhur janë:

1. Shqipe Bajçinca Brestovci (hendboll)

2. Avni Nuha (çiklizëm)

3. Bujar Turjaka (skitari)

4. Vjollca Krasniqi (futboll)

5. Agron Mala (shigjetari)

6. Musa Selimi (sportet universitare)

7. Besire Domaniku (mundje)

8. Agron Kuka (xhudo)

9. Abeliana Bregu (gjimnastikë).

Anëtar i Bordit Ekzekutiv është zgjedhur gjithashtu edhe Musa Hajdari nga Komisioni i Sportistëve, për të kompletuar numrin prej 10 anëtarëve të Bordit.

Ismet Krasniqi u zgjodh kryetar i ri i KOK-ut më 53 vota, kurse Besim Hasani mori 41 e Linda Shala 11 vota.

Hasani për 25 vjetë më radhë ishte president i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Insporti ka raportuar direkt nga vendi i ngjarjes që nga fillimi i Asamblesë deri në fund të saj.

/Insporti.com/

-->