Dështon huazimi i Manajt te Gjilani për Evropë, kjo është arsyeja

Futboll 12 Gusht 2020 21:20

Arb Manaj do të jetë pjesë e Evropës, mirëpo jo me Gjilanin. Futbollisti nga Klina udhëtoi deri në Gjilan pasditen e së mërkurës (12 gusht), mirëpo nuk arriti t’i mbyll procedurat e transferit si huazim te ‘kuqbardhët’ nga Trepça ’89.

22 vjeçari është në pritje të mbylljes së transferimit në njërin nga klubet e Turqisë, ndërkohë një transfer si huazim te ndonjë klub tjetër do t’i prishte punët atij, pasi që sistemi TMS nuk e lejon një gjë të tillë brenda një afati kalimtar.

Informacionin e kanë konfirmuar për Gazetën “Sheshi”, drejtuesit e klubit gjilanas, derisa në lidhje për këtë ngjarje ka folur edhe vetë futbollisti Manaj.

“Kam udhëtuar me dëshirën më të madhe drejt Gjilanit për t’u bashkuar me ekipin dhe për t’u ndihmuar atyre në garat evropiane. Mirëpo, gjatë mbylljes së dokumentacionit e pamë se pas huazimit në këtë afat kalimtar, do të ishte e pamundur transferimi në ndonjë skuadër tjetër, pasi që do të isha i detyruar të rikthehesha te Trepça ’89 edhe për të paktën gjashtë muaj dhe pastaj ta bëj lëvizjen e radhës”, deklaroi fillimisht Manaj.

Transferimin drejt Evropës në njërin nga klubet e Turqisë dhe gjetiu, ‘bomberi’ i Trepçës ’89 e konsideron si tejet primare dhe me shpresën se do të realizohet këtë verë një i tillë.

“Për mua është me rëndësi ta bëj një hapa para në karrierën time duke u transferuar në ndonjë klub në Evropë, prandaj edhe nuk desha të rrezikoj. Gjilanit i uroj shumë fat dhe suksese në Evropë”, mbylli Manaj.

Në edicionin që lëmë pas ai realizoi 18 gola dhe ishte i dyti në emëroren e golashënuesve pas Blendi Baftiut, i cili kishte një gol më tepër.

-->