Detajet e kontratës së selektorit të ri dhe gjasat për Euro 2020

Kombëtarja 02 Mars 2018 11:36

Selektori i ri i Kosovës Bernard Challandes, që sot u prezantua para mediave dhe opinionit në Kosovë ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Kryetari i kësaj federatë Fadil Vokrri nuk ka pranuar të japë detajet financiare të kontratës por mediat ditëve të shkuara kanë spekuluar rreth pagës së tij dhe përfitimeve tjera.

Sot në konferencë Vokrri po ashtu pohoi se “puna e trajnerit matet në bazë të rezultateve dhe ne pikërisht kështu do të vlerësojmë punën dhe suksesin e selektorit të ri. Kemi parë premtime të mëdha për rezultate dhe më pas dështime të mëdha kur nuk janë realizuar premtimet. Ne nuk po premtojmë shumë, por do të shkojmë hap pas hapi”.

Përndryshe, i pyetur direkt për gjasat e Kosovës që të kualifikohet në Euro 2020, Challandes ishte shumë hezitues dhe tha që “do të ishte mrekulli dhe hera e parë në histori që një ekip arrin në garë të madhe të kombëtareve në tentimin e vet të dytë. Sidoqoftë, besoj që Liga e Kombeve paraqet një rast të shkëlqyeshëm për Kosovën dhe pse jo, mund të jemi në Euro”.