Devolli: Nëse është problem bari natyral, me Ballkanin luajmë edhe në sintetik

Futboll 24 Nëntor 2020 23:29

Drenica do të ketë punë të vështirë në kuadër të xhiros së 14-të të kampionatit elitar në futbollin kosovar, me ç’rast pret skuadrën lidere të Ballkanit

Megjithatë, optimizmi nuk mungon në kampin “kuqezi”, teksa kryetrajneri i kësaj skuadre Bledar Devolli beson se skuadra e tij mund ta fitojë këtë përballje.

“Normalisht që besoj në rezultat pozitiv, po të mos besoja nuk do të merreja me këtë punë. Ne luajmë vetëm për fitore. Unë kur lozi në futboll të vogël dua të fitoj, lerë më në punën që bëj si trajner”, deklaroi fillimisht Devolli në emisionin “Sports Show” në Klan Kosova.

Më pas tekniku 42 vjeçar nga Gjirokastra gjithashtu pati edhe një mesazh për skuadrën kundërshtare, e cila është e pandalshme në terrenet me bari sintetik.

“Nëse Ballkanit i pengon terreni natyral, ne kemi dhe terrenin sintetik dhe mund të luajmë edhe aty”, shtoi ndër të tjerash Devolli.

Me Devollin në krye, Drenica ka regjistruar tri fitore, një barazim dhe një disfatë.

Dueli ndërmjet Drenicës dhe Ballkanit zhvillohet të enjten me fillim nga ora 13:00.

-->