Dikur e shikonte teksa dhuronte spektakël në fushë, të dielën asistoi për të

Futboll 02 Prill 2019 08:53

Historia interesante e Brahim Diaz – dikur, si fëmijë, kënaqej teksa e shikonte Iscon të dhurojë spektakël në fushë, në fundjavë luajti me të në një skuadër dhe asistoi për mesfushorin spanjoll.

Brahim Diaz ka startuar në fundjavë për herë të parë me fanellën e Real Madridit, që kur u trasnferua nga Manchester City, në afatin kalimtar të janarit, për më pak se 20 milionë euro.

Atij nuk i besoi asnjëherë Santiago Solari, por pas vetëm disa ndeshjeve në stolin e Los Blancos, Zinedine Zidane e aktivizoi titullar duke ia bërë ëndrrën realitet.

Diaz startoi në fitoren e vështirë të Realit në “Santiago Bernabeu”, që erdhi pas golit të bukur të Karim Benzemas në minutën e 89’ – francezi realizoi për 3-2.

Në këtë ndeshje kontribuoi edhe 19-vjecari spanjoll, Diaz – ai asistoi për golin e barazimit, 1-1 të shënuar nga Isco.

Gjatë ditës së sotme, Diaz ka treguar se sa i lumtur është që asistoi për njeriun që e ka pasur idhull vite më parë, kur Isco luante te Malaga.

Ai ka publikuar një foto si mbledhës i topave, teksa Cazorla dhe Isco dhuronin spektakël, madje e kishin dërguar Malagan deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe ishin eliminuar me dy gola të papritur të gjermanëve në fund të takimit.

“2011 dhe 2019. Historia e jetës sime. I lumtur që asistova për Iscon”, ka shkruar Diaz në llogarinë e tij në “Twitter”.

Diaz ka bërë vetëm 4 paraqitje me Realin, por shpreson se me ardhjen e Zinedine Zidane, do të ndryshojnë gjërat për të.