Dita e madhe po vjen

Sporte luftarake 13 Gusht 2019 17:56

Një vit pasi humbi titullin kampion bote në peshën e rëndë, Stipe Miocic do të rikthehet në kafaz për të dueluar sërish ndaj Daniel Cormier. Kjo përballje është sfida kryesore e eventit UFC-241, që zhvillohet këtë fundjavë në Kaliforni. Zjarrfikësi nga Ohajo, profesioni i Miocic, ka folur në prag të kësaj sfide, ku synon të rikthehet në majën e botës.

“Më në fund dita e madhe po vjen. UFC më dha mundësinë që të rikthehem në kafaz dhe të rimarr atë që është e imja, titullin kampion. Daniel duhej të më vriste herën e parë, por vetëm më mundi. Tani duhet të përballet me një bishë të inatosur dhe gati për të rimarrë titullin kampion. Unë dua titullin kampion, ky është objektivi im”, ka thënë Miocic, 18 tore e 3 humbje në UFC.

Stipe Miocic është sportisti i vetëm në peshën e rëndë që e ka mbrojtur 3 herë titullin kampion. “Unë e njoh veten, e di se çfarë sportisti jam. Para një viti humba titullin dhe ajo nuk ishte nata ime. Por tani do të vendos nderin tim në vend dhe do të rimarr titullin. Nuk do të përsëris më të njëjtat gabime, Daniel do të njohë se kush jam realisht në kafaz”, tha Miocic.